Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate e ka pranuar që Jadon Sancho është ftuar për ndeshjet me kombëtare pavarësisht që ai nuk e ka merituar një vend aty për shkak të formës momentale.
21-vjeçari nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë që prej transferimit nga Borussia Dortmundi te Manchester United, ku ka dështuar të kontribuoj me gola dhe asistime në tetë paraqitjet e tij të fundit në të gjitha garat.
Pavarësisht kësaj, Southgate e ka emëruar Sanchon në listën e tij prej 23 lojtarëve në Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjet e radhës kundër Andorras dhe Hungarisë, pavarësisht formës të tij jo të mirë.
“A e meriton ai që të jetë në skuadrën e Anglisë duke u bazuar në paraqitjet e tij të fundit? Sigurisht që jo. Por unë mendoj që ne kemi investuar shumë në Sanchon përgjatë një periudhe të gjatë kohore, dhe besoj që mund të arrijë nivelin më të lartë si futbollist”, tha Southgate.
“Do të dëshiroja të kem kohë që të bisedoj me të, dhe ta ndihmoj gjatë procesit në të cilin është duke kaluar te Manchester United, dhe gjithashtu dua që ai ta sheh se kemi besim tek ai”, shtoi trajneri i Anglisë.
Para se të bashkohet me Kombëtaren e Anglisë, Sancho do të shpresojë që të regjistrojë gol ose asistim nëse paraqitet në ndeshjen e Manchester United kundër Everton me dy tetor, në ndeshjen finale para atyre me kombëtare.