Anglia do të duhet të jetë taktikisht e përsosur për të mundur Spanjën në finalen e Euro 2024 të dielën, deklaroi trajneri i saj, Gareth Southgate. Djemtë e Anglisë rezervuan paraqitjen e tyre të parë në një finale të madhe me një fitore 2-1 ndaj Holandës në gjysmëfinalen e tyre të mërkurën.
Është hera e tretë në katër kompeticionet e fundit që Southgate e ka udhëhequr Anglinë në fazën gjysmëfinale të Euros ose të Kupës së Botës.
Southgate thotë se Spanja, fituesja e trefishtë, është “favorite” për finalen, pasi Anglia përpiqet të fitojë titullin e saj të parë në Euro.
“Ata do të ishin me të drejtë favoritë për atë që kanë bërë këtë turne. Ata kanë qenë ekipi më i mirë. ”Taktikisht ne do të duhet të jemi perfekt pasi ata janë një skuadër e mirë”, tha Southgate.
Mesfushori i Arsenalit, Declan Rice thotë se humbja e Anglisë nga Italia në finalen e Euro2020 do të shërbejë si motivim të dielën. Italia mundi Anglinë 3-2 me penallti në ”Wembley” pas barazimit 1-1 në 120 minuta lojë në Londër, shkruan BBC.
”Tani na paraqitet një mundësi tjetër ku mund të shkruajmë historinë tonë, por jemi përballë një skuadre tjetër të lartë, të cilën duhet ta respektojmë shumë. Shpresojmë se tani mund ta bëjmë këtë. Jo vetëm për njëri-tjetrin, por edhe për menaxherin. Unë mendoj se ai e meriton atë”, shtoi ai.
Cole Palmer tha se skuadra mund të “përfundojë punën” dhe të ndryshojë jetën e tyre përgjithmonë duke fituar në Berlin. Palmer doli nga pankina për të dhënë asistin për fituesin e minutës së fundit të Ollie Watkins në Dortmund.
”Kjo ndeshje do të ndryshojë jetën tonë, jetën e familjes sonë dhe për t’i bërë të gjithë krenarë. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë. Unë mendoj se nëse kemi arritur në këtë finale, atëherë duhet të shpresojmë që ta përfundojmë këtë punë. Është mirë të shkosh në finale dhe duhet ta shijojmë sepse nuk kemi shumë momente për të shijuar”, shtoi Rice.
Palmer, i cili fitoi Kampionatin Evropian në nivelin U21 me Anglinë në 2023, mendon se Tre Luanët kanë gjetur ritmin e tyre.
”Në ndeshjet e para, ne nuk luajtëm më të mirën që mundëm dhe të gjithë e dinin këtë. Por tani mendoj se ndërsa turneu po vazhdon, veçanërisht dje, mendoj se ne patëm ndeshjen tonë më të mirë në këtë turne”, përfundon Rice./UBTNews/