UBT News

Sot vazhdon seanca konstituive në Kuvend, partitë me qëndrime të njëjta

Deputetët mblidhen sërish sot, më 15 korrik, për vazhdimin e seancës konstituive dhe kjo është hera e 47-të që e bëjnë një gjë të tillë.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar për kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave në votim të hapur, ata kanë propozuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetet nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohet në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.

Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit deputetët kanë afat deri më 26 korrik që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë. PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.

Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka as votat për formimin e Qeverisë, gjë të cilën e mohon LVV-ja.

Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i drejtohet Kushtetueses se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri në afatin e paraparë prej një muajsh.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt ndërkaq mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më 15 prill dhe që nga ajo datë çdo 48 orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat. /Kosovapress

Exit mobile version