UBT News

Dështon seanca, Hekuran Murati nuk siguron votat për kryeparlamentar

Lajm i përditësuar:

11:28 

Ka filluar seanca në Kuvendin e Kosovës, ku në hapje kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari ka ftuar njërin nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar emër të ri në pozitën e kryeparlamentarit.

Deputetja që dështoi herën e kaluar, Donika Gërvalla tha se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje propozon deputetin, njëherësh Ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati për kryeparlamentar.

Në seancë nga 115 deputetë të pranishëm, 57 votuan për, 52 kundër dhe 7 abstenime, duke mos siguruar votat e nevojshme për Muratin.

07:57

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot përsëri për vazhdimin e seancës konstituive, nga ora 11:00, e dyta kjo pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Në vazhdimin e seancës së 20 gushtit, partitë politike në Kuvend dështuan të konstituojnë legjislativin e nëntë, duke vazhduar kështu ngërçin politik në vend.

Dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, dështuan të marrin 61 votat e nevojshme, pasi nuk morën më shumë se 57 vota.

Vetëvendosja pas seancës ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, se me mos votimin e kryetarit të ri, dëshmuan se emri i Albulena Haxhiut nuk ishte problemi kryesor për konsitutimin e Kuvendit, por se ato po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e legjislativit të nëntë brenda 30 ditësh, i cili afat skadon më 18 shtator.

Exit mobile version