UBT News

Sot takimi Kurti-Abdixhiku: Përpjekje e radhës për marrëveshjen për presidentin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë sot një tjetër takim në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, takimi mes dy liderëve është paraparë të mbahet në orën 12:00. Fakti vjen pas disa takimeve intenzive që dy krerët partiakë kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit, ku në fokus të diskutimeve mbetet arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Përpjekja e fundit mes tyre u zhvillua të shtunën mbrëma, mirëpo pas përfundimit të saj nuk u dhanë detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve. Kryeministri Kurti u mjaftua me një deklaratë të shkurtër, duke u shprehur se “do të ketë lajme atëherë kur të ketë rezultate konkrete”.

Takimi i sotëm konsiderohet vendimtar për të parë nëse palët do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo nëse vendi po shkon drejt një krize të re politike. /Ekonomia Online/

Exit mobile version