Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.
Për vitin 2022, slogani i Ditës Botërore të Dhuruesit të Gjakut është: “Dhurimi i gjakut është një akt solidariteti. Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë”, për të tërhequr vëmendjen te rolet që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.
Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet prej vitit 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Aktivitetet për këtë ditë bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut dhe për të shprehur falënderime për të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.
Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.
Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike.