Kuvendi i Kosovës sot në orën 10:00 mban seancë plenare. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot do t’i ketë dy interpelanca.
Me kërkesë të deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, do të mbahet interpelanca e Hotit për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”. Interpelanca tjetër ka të bëjë me çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, me kërkesë të deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së.
Në rend dite janë edhe disa projektligje dhe raporte vjetore:
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,
10. Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,
11. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,
12. Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,
13. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,
14. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,
15. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,
16. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar./UBTNews