Lajm i përditësuar
10:45
Pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të akuzuar për kanosje ndaj tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti është larguar nga salla e gjykatës.
Seanca u zhvillua nën masa sigurie, dhe Kurti nuk dha ndonjë deklaratë për media pas daljes nga salla.
10:06
Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani nuk e kanë pranuar fajësinë për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në seancën e shqyrtimin fillestar, pas leximit të aktakuzës, Klinaku tha se nuk konsideron që nuk ka kryer vepër penale.
“Konsideroj qe nuk kam kryer vepër penale dhe unë nuk e pranoj fajësinë”, tha Klinaku.
Fajësinë nuk e ka pranuar as i akuzuari tjetër Nuredin Selmani.
Në leximin e aktakuzës, prokurori special, Bekim Kodraliu tha se Faton Klinaku e ka kanosur seriozisht dhe publikisht kryeministrin Albin Kurti.
“I pandehuri Faton Klinaku, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes rrjetit social Facebook duke postuar. Pas reagimeve të opinionit publik, i pandehuri ka përsëritur një shkrim me përmbajtje kërcënuese. I pandehuri seriozisht e ka kanosur me vrasje kryeministrin Albin Kurti”, tha ai.
Edhe për të akuzuarin Nuredin Selmanin, prokurori special tha se seriozisht dhe publikisht e ka kanosur [Kurtin] përmes rrjetit social Facebook.
09:25
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj tij.
08:30
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të mbahet seanca ndaj ushtruesit të detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinakut për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.
Seanca fillon nga ora 09:00, ku duhet të jetë i pranishëm edhe vetë Kurti për deklarim.
Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së më herët kishte thënë se mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do të jetë i pranishëm në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit të Prokurorisë.
“Shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar të mbahet më 3 shtator 2025, në ora 09:00. Ta shohim nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës si i dëmtuar-dëshmitar i Prokurorisë,” ka shkruar Klinaku në Facebook.
Klinaku kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se mezi pret të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
/S.K/EO/