Gjykata Supreme i ka hapur rrugë përmbylljes së procesit elektoral, duke refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Pas këtij vendimi që vërtetoi qëndrimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar mbledhjen e radhës për sot në orën 11:00, me të vetmen pikë në rend dite: certifikimin e rezultateve.
Ankesat e refuzuara nga Supremja ishin të dy llojeve. E para lidhej me pretendimet e disa partive të komuniteteve joshumicë se subjekte rivale të të njëjtit komunitet kishin marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë qytetarë të asaj etnie. Konkretisht, Lista Serbe pretendonte se partia ZSPO e Nenad Rashiqit kishte fituar vota në mjedise joserbe, duke i rrezikuar asaj një ulëse të garantuar. Gjykata e cilësoi këtë kontradiktore, pasi mandatin po e fitonte sërish një subjekt serb, ndërsa theksoi se struktura etnike nuk mund të përdoret si kriter për ligjshmërinë e votës, e cila mbetet individuale, e lirë dhe e fshehtë. Ankesa të ngjashme të paargumentuara me prova pati edhe nga Nova Demokratska Stranka (NDS) e Emilja Rexhepit ndaj Koalicionit Vakat dhe ZSPO-së.
Lloji i dytë i ankesave vinte nga kandidatët e PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kërkonin rinumërimin e të gjitha votave preferenciale të partisë. Gjykata Supreme i hodhi poshtë edhe këto kërkesa, duke konstatuar se rinumërimi paraprak i 7.41% të votave nuk kishte nxjerrë dallime të mëdha dhe se mospërputhjet e vogla lidheshin vetëm me gabime njerëzore apo rikategorizim fletëvotimesh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Me vendimet e Gjykatës Supreme procesi kalon në fazën finale. Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja gjatë ditës së sotme, deputetët e legjislaturës së re kanë në dispozicion një afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. /E.A/
