Masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi në drejtim të konstituimit të Kuvendit përfundon sot. Kjo masë ishte vendosur pas dështimit të deputetëve për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses më 26 qershor.
Në pritje të skadimit të kësaj mase, vendi po pret një aktgjykim të ri të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të bëhet publik Ky aktgjykim do të jetë vendimtar për hapjen e rrugës drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë vendimin e ri të Kushtetueses, pavarësisht përmbajtjes së tij.
“Do të na njoftojnë për atë që kanë menduar të ndodhë pas 30 ditëve. Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi thënë se do ta respektojmë aktgjykimin. Është dëmtim i madh që Kosova nuk ka Kuvend,” ka thënë Kurti.
Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale pas dështimit për të formuar institucionet e reja, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Deri tani, janë bërë 54 përpjekje për ta konstituar Kuvendin që nga seanca e parë më 15 prill, por pa sukses.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se e ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.