Qytetarët rusë do t’iu drejtohen kutive të votimit nga e premtja për zgjedhje parlamentare.
Këto të fundit po shihen si një mundësi që populli të shpreh zemërimin rreth vështirësive ekonomike, shtypjes së kundërshtarëve të pushtetit dhe menaxhimit të pandemisë.
Megjithatë, partia në pushtet, “Rusia e Bashkuar”, e cila de facto kontrollohet nga presidenti Vladimir Putin, ka gjasë që ta gjejë rrugën për ta vazhduar mbajtjen e kontrollit të Dumës Shtetërore, shkruan The Guardian.
Para zgjedhjeve, të cilat do të mbahen për tri ditë radhazi, është vërejtur rritje e përkrahjes për Partinë Komuniste. Aleatët e figurës kryesore opozitare, Alexei Navalny, kanë bërë thirrje që të votohen kryesisht kandidatët e Partisë Komuniste, e cila pritet të dalë e dyta, me qëllim që të dëmtohet në vota partia në pushtet.
Në javët e fundit, sipas anketave, Partia Komuniste do të marrë rreth 19 për qind të votave, kryesisht për shkak të mosrritjes së pagave nga qeveria dhe rritjes së çmimeve, në anën tjetër.
Megjithëse ka sjellur figura të reja, Partia Komuniste në të kaluarën ka qenë e afërt me partinë në pushtet dhe ende e ka kryetarin e vjetër, Gennady Zyuganov, i cili më 1996 kishte garuar kundër Boris Yeltsin.