UBT News

Seminari i 43-të për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare

Lajm i përditësuar

12:30

Në Prishtinë u hap Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar dhe si organizëm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor.

“Të gjithë bashkë e jetojmë te tashmën e gjuhës sonë dhe do të vazhdojë edhe jo për shumë vite, por për shumë dekada. I përmbahem thënies në hapjen e seminarit duke theksuar se intimiteti i marrëdhënies se gjuhës do të jetë përherë çështje e njerëzimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim, por komunikim i subjektivitetit, kujtesës dhe kujtim qenësor. Gjuha është themeli më solid i imagjinatës njerëzore”, tha Kurti.

Ai edhe më tej shtoi se këto nisma janë bazë e qëndrushme, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit kombëtar.

Është forcuar tradita e olimpiadës së gjuhës shqipe , duke nxitur drejtëshkrimin dhe leximin. Kemi mbështetur edhe seminarin e diasporës. Këto nisma janë bazë e qëndrushme, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit kombëtar. Është ky seminar që i dedikohet gjuhës, por lashtësia jonë lidhet me tiparin tonë themelor, por është edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë. Ne do të vazhdojmë me mbështetje”, vazhdoi Kurti.

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, njoftoi se Seminari do të mbledh 200 studiues vendës dhe ndërkombëtarë, do të zhvillojë sesione shkencore dhe kulturore kushtuar gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë shqiptare.

“Duhet të mendojmë edhe për historinë e gjuhës. Për kohë të gjatë ka qenë gjuhë e ndaluar që nga pushtuesit e Perandorisë Osmane. Është gjuha ajo cka na përbashkon. Në vitet e ‘90 e dimë që gjuha shqipe në Kosovë ishte e ndaluar. Ne jemi si universitet krenar që jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. 200 studiues pritet të marrin pjesë në këtë seminar. Kur e shohim seminarin e shohim se ka pasur prurje të reja shkencore “, shtoi Hajrullahu.

10:00

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të nisë punimet nga sot deri më 29 gusht në Prishtinë ku sot në orën 11:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, do të bëhet hapja solemne e punimeve.

“Seminari i 43-të, do t’i zhvillojë punimet në sallën ‘Idriz Ajeti’ të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Në këtë edicion të Seminarit, përpos studiueseve, studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria, do të marrin pjesë edhe albanologë nga shumë vende të botës, për t’i shpalosur dhe për të diskutuar rreth arritjeve e rezultateve të tyre të fundit shkencore”, ka njoftuar drejtoria e seminarit të Univerisitetit të Prishtinës.

Ndërkaq në fund të Seminarit do të mbahet sesioni shkencor me këto tema bosht “Zhvillime aktuale lidhur me leksikun e shqipes, Shqipja në rrjetet sociale dhe Postmodernizmi në letërsinë shqipe”.

Njëherësh, në programin bazë të Seminarit 43 përfshihen kurse intensive të mësimit të shqipes, ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare dhe referime shkencore.

Po ashtu është bërë me dije se ashtu si edhe në edicionet paraprake, Seminari ofron program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore, si dhe me zhvillime të tjera pozitive.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë dhe oorganizohet për studentë e studiues që merren me çështje të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Deri më tani, seminari ka zhvilluar gjithsej 42 sesione.

Exit mobile version