Ora 17:00 e pasdites, sot është e rezervuar për shortin e garës më të madhe të futbollit, Ligës së Kampionëve.
Gara më e mirë për klube në botë, do të fillojë me një muaj vonesë, me shortin për fazën e grupeve që hedhet sot në Nyon të Zvicrës.
UEFA është duke planifikuar në përpikmëri të gjitha mundësitë që kjo garë të zhvillohet në standardet e njëjta, dhe me vendimet e të gjitha qeverive, në mënyrë që gara të jetë e sigurt dhe normale.
Janë vendosur të gjitha masat e mundshme të sigurisë: udhëtime me fluturime të rezervuara për ekipet, teste para zhvendosjes, qëndrim në hotele dhe dhoma të rezervuara për skuadrat, kontakt minimal me botën e jashtme, kontrolle në hyrje të stadiumit, prania e reduktuar e profesionistëve të ekipit në fushë dhe kështu me radhë deri në momentin e ndeshjes.
Ndeshjet do të fillojnë me 20 tetor, sipas planifikimit të UEFA-s, dhe fundi i fazës së grupeve do të zhvillohet në javën e dytë të dhjetorit. Ndeshje do të ketë çdo javë dhe futbolldashësit do të kenë mundësi të ndryshme për të shijuar Ligën e Kampionëve.
UEFA në rregulloren e saj ka bërë ndryshime si shkak i pandemisë COVID-19, dhe ka njoftuar se klubet duhet të jenë të vetëdijshme për çdo ndryshim ligjor./UBTNews