Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.
E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.
Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.
Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.
Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.
Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.
Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.
Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”
Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.
Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.
Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/
