UBT News

Sot mbahet seanca per konstituimin e Kuvendit

Sot, më 11.02.2026 nga ora 17:00 është caktuar koha kur do të filloj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një komunikatë për media të martën bëri me dije se ka thirrur seancën konstituive në orën 12.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka njoftuar se me kërkesë të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, mbajtja e kësaj seance është shtyrë për orën 17:00.

Kjo kërkesë erdhi për shkak të procesit të gjykimit që po zhvillohet në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së, fjalën do ta ketë mbrojtja.

Kujtojmë se sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Procesi i certifikimit u zvarrit për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi zgjedhor, meqë pati dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë. Votat për parti nuk janë cenuar.

 

 

 

Exit mobile version