UBT News

Sot mbahet protestë gjithëpopullore kundër Gjykatës Speciale

Lajm i përditësuar

16:42 – Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta, në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si raciste, derisa mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Isat Gashi, i cili kishte ardhur nga Klina për të protestuar, tha se ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe me dirigjime nga Serbia.

Jemi mbledhur sot për çlirimin e çlirimtarëve tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë…Mendojmë se do të ketë rezultat për lirimin e djemve tanë, heronj të gjallë…Gjykata Speciale është raciste dhe po mban padrejtë në Hagë çlirimtarët me dirigjimet e Serbisë”, tha ai.

Prezentë në protestë janë edhe përfaqësues politik të partive politike të ndryshme.

16:02 – Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet ka nisur përgatitja e skenës për fjalime gjatë protestës gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një numër i madh qytetarësh tashmë janë nisur drejt Prishtinës për të kundërshtuar gjykimin e padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe një pjesë e tyre tashmë ka nisur të mbushë sheshet “Nënë Tereza” e “Skënderbeu”.

Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës” është motoja e protestës.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.

Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë

15:10– Qytetarë të shumtë janë nisur nga komuna të ndryshme të Kosovës drejt kryeqytetit për të protestuar për ish krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë. Sipas tyre, ish krerëve të UÇK-së po u bëhet padrejtësi, e po trajtohen në mënyrë çnjerëzore.

Qytetari Sahit Thaçi tha se kjo protestë është dashur të mbahet më herët pasi që po shkelën vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Janë duke bërë padrejtësi të mëdha vlerave të UÇK-së. Kjo iniciativë është shumë e qëlluar, është dashur edhe më herët, po edhe tash më mirë vonë se hiç.. Janë duke bërë padrejtësi të mëdha vlerave të UÇK-së. Ata po trajtohen në mënyrë çnjerëzore, po i marrin të dhënat kinse si dëshmi prej Serbisë, ne Serbinë e kemi pasur okupatorë, e dimë ne që ata kanë bërë gjenocid jo këta të lirisë që kanë çlirua vendin”, tha Thaçi.

Rrugës për t’u protestuar në Prishtinë është edhe Arfi Zuka, i cili tha se ish krerëve të UCK-së po i bëhen padrejtësi nga Specialja në Hagë.

“Shumë do të ketë ndikim të madh, pasi ata janë duke bërë padrejtësi”, theksoi ai.

Gjithashtu Sami Haliti shtoi se duhet të protestojë i gjithë populli për ta, sepse sipas tij janë të pafajshëm.

Ai tha se Gjykata Speciale duhet sa më parë t’i liroj ish krerët dhe të largohet një herë e përgjithmonë nga populli ynë.

“Jo vetëm veteranët e luftës, por e gjithë populli duhet të çohet në këmbë për këtë punë, sepse janë njerëz të pafajshëm.. Gjykata Speciale duhet njëherë e përgjithmonë të largohet nga Kosova dhe krerët tonë t’i kthejnë sa më shpejtë”, shtoi Haliti.

OVL-UÇK-ja dhe organizatat e tjera të dala nga lufta sot nga ora 17:00, do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vijueshmërinë e procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.Gjatë protestës do të kërkohet reagim institucional lidhur me këtë proces.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.

Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.

13:50- Qytetarë të shumtë dhe veteranë të luftës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në protestë, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Veterani i UÇK-së, Rasim Gërbeshi, tha se luftëtarët nuk kanë sakrifikuar për të përfunduar në burg, por për ta fituar dhe mbrojtur lirinë e Kosovës.

“Jam veteran i luftës së UÇK-së. Jemi të ftuar të dalim në protestë të gjithë, sepse është e vërtetë se ata nuk kanë luftuar për të shkuar në burgje të Hagës, por kanë luftuar për këtë liri, këtë gjak që kanë derdhur ushtarët dhe shokët tanë. Mos të ishin ata dhe Amerika sot nuk do të ishim këtu. Duhet me qenë shumë të lumtur që kanë luftuar të gjithë për këtë liri. Është e padrejtë. Nuk janë ata që kanë bërë krime, nuk kanë luftuar për të qenë atje, por këtu në Kosovë. Ata kanë luftuar për të drejtat tona, për liri, për fëmijët tanë. Fëmijët tanë sot e kanë lirinë, por nuk e dinë pse janë arrestuar ata, pse janë shkuar. Është problem. Besoj që do të lirohen sa më shpejt”, tha Gërbeshi.

Qytetari tjetër Izet Hajdini tha se Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që ekziston, ndërsa theksoi se protestat duhet të vazhdojnë derisa të arrihet drejtësia për ushtarët e UÇK-së.

“Duhet më shpesh të bëhen protesta. Shpresoj të ndikojnë. Gjykata Speciale është e padrejtë për ushtarët e UÇK-së, sepse ata kanë luftuar për këtë vend dhe është i padrejtë gjykimi. Kriminelët serbë janë të lirë. Kanë bërë masakra në Reçak e gjithë Kosovën. Ata duhen dënuar e jo ushtarët e UÇK-së pa pikë faji. Do të marr pjesë në protestë, por një protestë nuk besoj që ndikon. Duhet më shpesh të bëjmë protesta”, tha Hajdini.

11:00- Në faqen zyrtare të OVL-UÇK-së në Facebook,  përmes një video mesazhi janë përmendur arsyet e organizimit të protestës.

Në video fillon të shfaqet parulla “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, duke pasuar me pamje të disa prej ish-krerëve të UÇK-së dhe ushtarëve të tjerë në kohë lufte, e duke përfunduar me parullën tjetër “Sot UÇK-ja, nesër e gjithë historia jonë!”.

08:30 – Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të organizojë sot protestë gjithëpopullore kundër Gjykatës Speciale dhe për të kundërshtuar vijueshmërinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kjo protestë do të organizohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim ora 17:00.

Gjatë protestës do të kërkohet reagim institucional lidhur me këtë proces, ku në njërin prej njoftimeve të organizatës thuhet se duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore.

I ftuar si folës në këtë protestë është edhe Lideri i shqipëtarëe të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim që të gjithë autobusët e transportit publik në kryeqytet të jenë pa pagesë gjatë ditës së sotme si shenjë solidariteti me kërkesat e veteranëve të luftës, të cilët kanë kritikuar ashpër veprimet e Gjykatës Speciale.

 

Exit mobile version