Ura Peleshac e Kroacisë nga 26 korriku do t’iu mundësojë udhëtarëve të shmangin disa pika të kontrollit kufitar, por jo të gjithë janë të mahnitur me strukturën e saj spektakolare.
Nga pista e papërdorur ende e urës së Peleshacit, Ivo Jerkoviq shikon fshatin bregdetar të Komarnës, ku shërben si kryetar bashkie.
“Kur të hapet ura, ne do të jemi në qendër të një rrethi”, thotë ai, duke treguar nga qytetet turistike të Dubrovnikut dhe Mostarit, e më pas përtej Adriatikut, deri në Gadishullin malor të Peleshacit.
“Mendoj se ky sezon [turistik] do të jetë shumë i mirë. Pas dy vjetësh me [pandeminë] COVID, ne jemi gati”, thotë ai.
Ura prej 2.4 kilometrash, në të cilën qëndron Jerkoviq, pritet të shkarkojë në mënyrë dramatike rrugët tokësore përgjatë bregdetit ballkanik.
Shoferët në rrugën bregdetare të Kroacisë jugore aktualisht duhet të kalojnë një pikë të kontrollit kufitar në Bosnje e Hercegovinë, përpara se të kthehen sërish në Kroaci – që është territor i Bashkimit Evropian – rreth 9 kilometra më vonë.
Kroacia duhet të pranohet në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen, në vitin 2024, dhe kalimi nëpër Bosnje do të ishte një pengesë masive për të.
Një kusht për anëtarësim në Shengen është që udhëtarët dhe automjetet të kontrollohen në hyrje dhe në dalje të territorit Shengen.
Pika shtesë e kontrollit në Neum të Bosnjës do ta rriste ngarkesën në trafik, sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës.