Dita Botërore e Diabetit ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diabetin si një çështje globale e shëndetit publik dhe çfarë duhet bërë, kolektivisht dhe individualisht, për parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin më të mirë të gjendjes.
Tema e këtij viti, ‘qasja në edukimin për diabetin’, mbështet temën më të madhe shumëvjeçare të ‘qasjes në kujdes’.
Në fillim dhe më 14 nëntor, OBSH do të nxjerrë në pah jo vetëm sfidat, por më e rëndësishmja, zgjidhjet për rritjen e qasjes ndaj ilaçeve dhe kujdesit për diabetin.
Aktivitetet e OBSH-së për Ditën Botërore të Diabetit do të mbulojnë çështje që variojnë nga mbrojtja e prioriteteve të njerëzve që jetojnë me diabet në avokimin e Kompaktit Global të Diabetit, i cili nxit përpjekjet globalisht për të reduktuar rrezikun e diabetit dhe për të siguruar qasje në trajtim dhe kujdes.
Diabeti shkaktohet nga nivelet e larta të glukozës në gjak gjatë një periudhe të gjatë kohore. Glukoza është një ndër burimet kryesore të energjisë në trupin tonë, e cila merret nga ushqimi që e konsumojmë. Transportin e glukozës nga ushqimi në qelizat e gjakut e mundëson insulina, një hormon i prodhuar nga pankreasi. Ndodh që insulina të mos prodhohet mjaftueshëm, apo fare, dhe kështu glukoza qëndron në gjak, duke mos u transportuar njëlloj në qeliza. Me kalimin e kohës, ky grumbullim i glukozës mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore që nuk kanë shërim, siç është diabeti. Por, edhe pse nuk ka shërim mund të merren masa parandaluese ndaj përkeqësimit të kësaj sëmundjeje.
Disa nga simptomat më të shpeshta të diabetit janë etja e shtuar, tharja e gojës, shikimi i mjegulluar, dehidratimit, mpirja e gjymtyrëve, lodhja e tepërt, shtimi i oreksit dhe humbja drastike e peshës. Këto simptoma mund të shkaktojnë edhe probleme më të rënda shëndetësore si sëmundje të zemrës, sëmundje të veshkës, sulm në tru, probleme me sy e probleme dentare.
Ekzistojnë tri forma kryesore në të cilat paraqitet diabeti: diabeti tip 1 paraqitet në 10-15% të rasteve te fëmijët dhe të rinjtë. Te tipi 1 ka një mungese absolute të hormonit të insulinës. Të sëmurët janë të varur nga insulina, andaj duhet të injektohen me insulinë çdo ditë për të mbijetuar.
Diabeti tipi 2 është lloji më i përhapur i diabetit, që haset në 90% të rasteve tek personat në mbipeshë, njerëzit pas moshës 40 vjeçare dhe disa të rinj gjithashtu. Kryesisht trashëgohet apo shkaktohet nga faktorët e mënyrës së jetesës. Në tipin 2 pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
Diabeti i shtatzënisë apo gjestacional shfaqet në 2-5% të rasteve te gratë shtatzëna. Ky lloj i diabetes mellitus ka shansa të zhduket pas lindjes apo edhe të përparojë më tutje. Përafërsisht 5-10% e grave të cilat kanë pasur diabetin gjestacional gjatë shtatzënisë hasin më vonë në diabetin e tipit 2.
Llojet e tjera të diabetit, që janë më pak të përhapura, janë diabeti monogjen dhe diabeti i fibrozës cistike. Diabeti monogjen është një sëmundje e cila trashëgohet gjenetiksht në breza.
Në nivel global, rreth 422 milionë të rritur jetonin me diabet në vitin 2014, krahasuar me 108 milionë në vitin 1980. Prevalenca globale e diabetit është pothuajse dyfishuar që nga viti 1980, duke u rritur nga 4.7% në 8.5% në popullatën e rritur.
Gjatë dekadës së fundit, prevalenca e diabetit është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta.
Për këtë ditë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës organizon tryezë të rrumbullakët për Ditën Botërore të Diabetit, në njërin nga hotelet në Pejë, duke nisur nga ora 11:00. Kurse, një orë më vonë në sheshin e qytetit të Pejës, vendoset tenda, ku qytetarët mund të bëjnë matjen e nivelit të glukozës, dhënia e këshillave dhe shpërndarja e materialit edukativo shëndetësor. Po në shesh parakalojnë fëmijët parashkollorë dhe shkollorë.