UBT News

Sot dita më e nxehtë e javës në Kosovë deri në 38 gradë

Sot në Kosovë pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, ku sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat maksimale do të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë celsius. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të përsëritshme, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15 dhe 18 gradë celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me një shpejtësi prej 1–5 m/s.

Për shkak të temperaturave të larta, IHMK ka rekomanduar që personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët të shmandojnë ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në 17:00, të konsumojnë sa më shumë lëngje si dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.

Ndonëse kjo javë e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut po karakterizohen nga mot shumë i nxehtë, nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh. /E.A/

Exit mobile version