Drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahat Salihu, në një intervistë për KosovaPress tregoi për fëmijët e strehuar dhe për përkujdesjen e tyre.
“Realisht ne kemi tash tetë familje të cilët strehojnë fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe aty janë 42 fëmijë të vendosur tek ne. Mirëpo, po ashtu kemi edhe fëmijë të cilët janë në fazën e gjysmë pavarësimit për arsyeje që ne nuk i braktisim pas moshës 18-vjeçare sepse shumë shpesh ndodh që një fëmijë ta pranojmë në moshën 10-vjeçare mirëpo ende nuk ka shkuar në shkollë, dhe në qoftë se ne ta largonim atë fëmijë në moshën 18-vjeçare atëherë vetëm do të krijonim probleme të tjera sociale. Kështu që ne i mbështesim ata deri sa të shohim që ata janë të aftë të ballafaqohen me sfidat në jetë që i kanë. Nëse duan që të vazhdojnë kurse të ndryshme ne i mbështesim, mirëpo edhe nëse duan që të studiojnë normal ne jemi familja e tyre dhe do jemi gjithmonë për ta këtu”, u shpreh Salihu.
Me tej, Salihu tregoi për sfidat që ka pasur kjo qendër dhe për hapjen e qendrës të re për nënat dhe fëmijët.
“Nuk mund të themi që ka qenë vit i zakonshëm si vitet e tjera duke pasur parasysh gjendjen me pandemi qe kemi pasur, por mendoj megjithatë që ne si Sos Fshatra të fëmijëve kemi arritur që t’i realizojmë të gjitha ato që kanë qenë të planifikuara. Ju shumë mirë e dini që ne nuk ofrojmë vetëm përkujdesje për fëmijë të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore, po ne ofrojmë edhe shumë mbështetje në fusha të ndryshme, qoftë në fuqizimin e familjes domethënë parandalimin e braktisjes, po ashtu edhe fuqizimin ekonomik të familjeve. Po ashtu, ofrojmë shërbime të ndryshme në avokim, edukim, shëndetësi në fusha të ndryshme. Madje tash kemi filluar edhe një projekt të ri e cila është një qendër strehuese për nënat dhe fëmijët domethënë që është një projekt që i mbështet nënat e reja që mos të vijë deri te braktisja e fëmijëve. […] (01:21) Ky është viti i parë që kemi filluar, ne vetëm kemi një nënë të re me fëmijën e saj edhe shpresojmë që do te ketë mbështetje edhe nënat e reja të cilat duan ta braktisin që mos të vijë deri tek braktisja e fëmijës”, ka thënë ajo.
Synimi i kësaj qendre është tek strehimi familjar, kjo është arsyeja edhe pse është mbyllur shërbimi i bebeve.
“Këtë vit nuk është se kemi pranuar për arsyeje që ne projektin e bebeve të ashtuquajturin që e kemi quajtur, aty kanë qenë bebe të braktisura. Ne e kemi mbyllë për arsye që tash synojmë të fokusohemi në strehimin familjarë”, theksoi ajo.
Edhe pse dëshira që kjo qendër të mos ekzistojë që nënkupton të mos ketë asnjë fëmijë të braktisur, Salihu thotë që në anën tjetër është fat që kjo qendër mbështet fëmijët që të rriten.
“Ne i kemi fëmijët nga të gjitha komunat. Unë edhe gjithmonë kisha pas dëshirë që mos të ekzistojë SOS Fshati i fëmijëve për arsyeje që kishim pas dëshirë që gjithë fëmijët te kenë familjet e tyre. Mirëpo prapë në anën tjetër fatmirësisht që ekziston një qendër e tillë e cila i mbështet ata që të rriten dhe të bëhen me të vërtetë fëmijë të rritur të cilët do t’i ketë lakmi secili”, ka thënë Salihu.
Shumë fëmijë që kanë kaluar suksesshëm programet e SOS Fshatrave kanë vazhduar jetën e tyre si të gjithë fëmijët e tjerë.