Fituesi i edicionit 2026 të “Topit të Artë” do të shpallet të hënën mbrëma, në një ceremoni që nis nga ora 21:00 në Londër. Gara për çmimin më prestigjioz individual në futboll mbetet e hapur, me disa prej yjeve më të mëdhenj që synojnë trofeun.
Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal konsiderohen tre favoritët kryesorë, ndërsa në mesin e kandidatëve përmenden edhe Lionel Messi, Michael Olise dhe Khvicha Kvaratskhelia.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, duke realizuar 73 gola në edicionin 2025/26. Anglezi kontribuoi në fitimin e tripletës vendore nga Bayerni, ndërsa me përfaqësuesen e Anglisë siguroi medaljen e bronztë në Kupën e Botës 2026.
Në anën tjetër, Kylian Mbappe ka shkëlqyer në aspektin individual, duke u dalluar si golashënues në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës. Megjithatë, mungesa e trofeve me Real Madridin dhe Francën mund të ndikojë në garën e tij për këtë çmim.
Një tjetër kandidat serioz është talenti 19-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal. Spanjolli fitoi titullin në La Liga dhe Kupën e Botës me Spanjën, duke vazhduar ngritjen e tij në futbollin botëror. Në nivel klubesh, ai realizoi 24 gola në 45 paraqitje, por eliminimi i Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mund të ndikojë në vlerësimin përfundimtar.
Nga gara nuk përjashtohet as Lionel Messi, tetë herë fitues i këtij çmimi. Argjentinasi pati një tjetër sezon të suksesshëm me Inter Miamin, ndërsa udhëhoqi Argjentinën deri në finalen e Kupës së Botës, duke realizuar tetë gola gjatë turneut.
Nëse triumfon, Messi do ta fitonte për herë të nëntë “Topin e Artë”, duke zgjeruar rekordin e tij historik.
Ndërkohë, Harry Kane synon të bëhet anglezi i pestë që e fiton këtë çmim, pas Stanley Matthews, Bobby Charlton, Kevin Keegan dhe Michael Owen.
Ceremonia e këtij viti do të mbahet në Londër, në nderim të Stanley Matthews, fituesit të parë të “Topit të Artë” në vitin 1956.
Çmimi organizohet nga “France Football” dhe UEFA, ndërsa fituesi përcaktohet përmes votave të gazetarëve nga 100 vendet e para në renditjen e FIFA-s.
Përveç çmimit kryesor, gjatë mbrëmjes do të ndahen edhe çmime të tjera për më të dalluarit e futbollit botëror.
D.L
