UBT News

Sogojeva: Nuk kemi ende zhvillim të mirëfilltë të turizmit

Është mbajtur tryeza me temën “Ripërtritja e Turizmit” e organizuar nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës në kuadër të shënimit të Ditës së Turizmit.

Qëllimi i këtij organizimi ishte sensibilizimi i çështjes lidhur me sektorin e turizmit në gjithë botën.

Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva tha se Kosova në përgjithësi, sa i përket çështjes së turizmit, në bazë të vlerave që ka, nuk ka ende zhvillim të mirëfilltë. Ai tha se pa agjencionin kombëtar nuk ka ngritje të vlerave turistike.

“Nëse shikojmë Kosovën në përgjithësi, sa i përket çështjes së turizmit, në bazë të vlerave që ka, nuk kemi zhvillim ende të mirëfilltë. Në fillim ka munguar legjislatura, ka munguar çështja e ligjeve që nuk i është përshtatur zhvillimit të bizneseve në Kosovë dhe tani kemi ligjin e ri që ka kaluar në Kuvend, mirëpo mungesa në ligjin e turizmit fatkeqësisht nuk e ka futur agjencionin kombëtar siç e kanë, Maqedonia, Shqipëria, Mali Zi dhe gjithë shtetet e rajonit. Në një kohë jo të gjatë qeveria e Kosovës duhet të mendojë që ky sektor të zhvillohet. Fatkeqësisht as në qeveritë e mëparshme, as në këtë si prioritet nuk po zë vend turizmi. Përderisa nuk zë vend si prioritet, kemi ngecje të turizmit. Duhet të sensibilizohemi më shumë dhe të kuptojmë se pa zhvillimin e turizmit nuk ka zhvillim të mirëfilltë të ekonomisë”, tha ai.

Ambasadorja e Maqedonisë se Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi tha po ashtu se kjo ditë është e rëndësishme për t’i treguar opinionit që në këtë lëmi duhet bërë më tepër. Ajo tha se qeveria e ka marrë parasysh turizmin, mirëpo sipas saj nuk ka qenë e lehtë të sensibilizohet kjo çështje me qeverinë.

“Ne i japim rëndësi turizmit edhe si shet, si qeveri. Në këtë ditë është shumë me rëndësi për të sensibilizuar opinionin që kjo është lami ku po bëhet diçka por që ka vend të bëhet më tepër. Qeveria jonë e ka marrë parasysh turizmin si një sektor të rëndësishëm të ekonomisë më në fund, pasi nuk ka qenë e lehtë as për ne ta sensibilizojmë këtë çështje, por me mundime të njerëzve nga sektori ka ardhur në rend. Është mirë të diskutohen çështjet dhe zëri të dëgjohet. Unë i shoh ndryshimet, përparim ka Kosova, disa gjëra kanë filluar të ndryshohen. Në fillim edhe ne nuk kemi qenë të kënaqur me ligjin, por përpjekjet nuk duhet ndalur”, tha ajo.

Më tej ajo tha se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm. Sipas saj pa pasur ndonjë platformë të përbashkët nuk mund të shkojmë shumë larg. Ajo tha se Shqipëria ka detin dhe ne jemi vend që s’ kemi det. Bashkëpunimi për ne dhe për Kosovën besoj që është me rëndësi dhe prandaj jemi këtu.

Drejtori i agjencionit kombëtar të Maqedonisë së Veriut, Ljupche Janevski tha se kanë për qëllim që gjatë këtij viti t’i rrisin të ardhurat nga turizmi dhe në çdo sezonë të ofrojnë diçka të re për turistët.

“Qëllimi në vitin 2022 është që të arrijmë t’i kalojmë të ardhurat nga turizmi mbi 400 milionë dollarë në vit. Pritshmëria është që bashkësia të na lidh dhe gjithë turistët që vijnë, bashkarishit t’i ofrojmë çdo herë dicka më shumë. Patjetër duhet të rregullohen me ligj, infrastruktura por edhe ligjet të rregullohen që shteti ta zhvillojë turizmin sa më mirë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se do të mundohen që t’ua mundësojnë rinisë të rrijë në vend, në këtë mënyrë ta parandalojmë migrimin e të rinjve në mënyra të ndryshme.

Këshilltari komunal në komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci tha se janë duke punuar me qeverinë në mënyrë qe t’u ofrohen kushte më të mira sektorit të gastronomisë. Po ashtu ka treguar edhe ligjet e reja të cilat do të fillojnë të zbatohen.

“Një prej risive në kryeqytet është se kemi filluar që gjashtë muaj ligjin për ndotjen akustike, e cila mungon. Në nivel qendror është përcaktuar vetëm sipërfaqësisht dhe nuk ka detaje, andaj këtë rregullore e kemi trajtuar edhe ndaj gastronomeve edhe ndaj komunitetit që janë afër tyre. Rregullorja e cila do të përfshijë disa senzorë të cilët janë punuar prej një kompanie këtu në Prishtinë do të fillojë me 1 Janar, ku secili lokal do ti ketë senzorët dhe ata do të përcaktojnë ndotjen akustike ose zhurmën. Përveç kësaj është menduar të ketë edhe një rregullore të re ku secili lokal, gastronomët dhe ata të cilët jetojnë afër tyre, duhet të pajisen me një certifikatë për lejimin e muzikës në lokal. Në atë rast do të mbajmë në kontroll lokalet dhe secili do të shënohet në inpseksionin e komunës së Prishtinës dhe në mënyrë elektronike do të vijnë dënimet”, tha ai.

Exit mobile version