Wesley Sneijder ka ndarë një rrëfim të ndjeshëm për kalimin e tij nga Real Madridi tek Interi, duke treguar për momentet më të vështira dhe suksesin e madh në karrierë.
Sneijder tha se momenti më i vështirë ishte largimi nga Real Madridi. “U ndjeva plotësisht i poshtëruar. Shkova në terrenin stërvitor dhe kur mbërrita atje, dollapi im ishte bosh. Të gjitha gjërat e mia ishin hedhur mënjanë,” – tha ai.
Ai gjithashtu përshkroi bisedën e fundit me presidentin e klubit madrilen. “Kërkova të flisja me presidentin, por ai mezi më rezervoi pak minuta kohë. Ai thjesht tha se nuk isha më pjesë e planeve të tyre, se ata donin të fitonin Ligën e Kampionëve.”
Sneijder pastaj tregoi për bisedën që pati me Jose Mourinho pas largimit nga Madridi. “Dy ditë më vonë mora një telefonatë nga Mourinho. Unë mendoj se e mori numrin tim të telefonit nga Chivu. Ndoshta ua tha të gjithëve këtë, por më besoni, një vit me të duket si 10 vite me këdo tjetër,” – tha ai për trajnerin portugez.
Ai e përshkroi bashkëpunimin me Mourinhon si “si dashuri me shikim të parë” dhe tha se Mourinho e bëri të ndihet si një lojtar kyç. “Më premtoi se do ta fitonim Ligën e Kampionëve. Dhe si përfundoi e gjitha? Ju e dini… Unë fitova Ligën e Kampionëve në stadiumin e Real Madridit,” – tha Sneijder, duke e quajtur këtë momentin më të madh të karrierës së tij.
Ky rrëfim nga Sneijder është një pjesë e historisë së tij futbollistike, e cila tregon për rrugën e tij prej Madridit në suksesin e mrekullueshëm me Interin dhe Mourinho në vitin 2010./UBTNews/