Klubi skocez Rangers ka shkarkuar trajnerin Russell Martin pas vetëm 17 ndeshjesh në krye të skuadrës.
Vendimi u mor të dielën në mbrëmje, pas barazimit 1-1 në transfertë ndaj Falkirk, që shkaktoi pakënaqësi të madhe te tifozët.
Policia u detyrua ta shoqëronte Martinin pas ndeshjes, pasi një grup tifozësh tentuan të ndalonin autobusin e ekipit.
Në njoftimin zyrtar, klubi tha: “Rangers konfirmon se është ndarë nga trajneri kryesor, Russell Martin. Rezultatet nuk i kanë përmbushur pritjet e klubit. Falënderojmë Russellin dhe stafin e tij për punën e bërë.”
Bashkë me Martinin janë larguar edhe ndihmëstrajneri Matt Gill dhe trajneri Mike Williamson.
Martin u emërua në qershor me kontratë trevjeçare, por fitoi vetëm pesë ndeshje në të gjitha garat. Rangers aktualisht renditen në vendin e tetë në Premier League Skoceze, 11 pikë prapa kryesuesve Hearts dhe nëntë pas rivalëve Celtic.
Klubi pritet të njoftojë së shpejti emrin e trajnerit të ri./S.K/KP/