UBT News

Skuadra e Bundesligës futet në garë për shërbimet e Albion Rrahmanit

Skuadra gjermane, Werder Bremen po e ndjek me shumë interes sulmuesin kosovar, Albion Rrahmani, i cili aktualisht luan te Rapid Burcuresti në Rumani.

23-vjeçari po kalon një edicion të shkëlqyeshëm në kampionatin rumun, ku ka arritur të shënoj 16 gola dhe të dhuroj katër asistime në 21 ndeshje të luajtura në të gjitha garat deri më tani.

Një gjë e tillë thuhet edhe nga mediumi gjerman “Liga Insider”, ku theksojnë se skuadra e Werder-it ka tanimë në listë emrin e kandidatit për të mbuluar repartin e sulmit.

Skautët e dërguar nga klubi gjerman ishin prezent nga afër për ta parë në ndeshjen e fundit ish-sulmuesin e Ballkanit, ku edhe arriti të shënojë dhe asistojë një herë. Megjithatë, bisedimet mes dy klubeve ende nuk kanë filluar.

Në anën tjetër, Werder Bremen do të përballet me konkurrencën e Slavia Prague që poashtu duket se janë të interesuar për të nënshkruar me Rrahmanin dhe madje ka dorëzuar një ofertë zyrtare, e cila u refuzua.

Çmimi i reprezentuesit kosovar në tregun e transferimeve arrin në shifrën e 2.3 milionë eurove./UBTNews/

Exit mobile version