Ish- mbrojtësi i Interit, Milan Skriniar është një objektiv i Juventusit për afatin kalimtar të janarit, kur bardhezinjtë do të kërkojnë një zëvendësues për të dëmtuarin Gleison Bremer.
Qendërmbrojtësi brazilian Bremer pritet të qëndrojë jashtë fushës për të paktën gjashtë muaj pasi pësoi një lëndim në gju në ndeshjen e fundit të Champions League kundër RB Leipzig javën e kaluar.
Prandaj, Juventusi do të kërkojë një qendërmbrojtës të ri në afatin kalimtar të janarit dhe sipas raportimeve , emri i ri në axhendën e “Bianconerëve” është ish-ylli i Interit dhe Sampdorias, Skriniar.
Reprezentuesi sllovak ka humbur minutazhën nën drejtimin e Luis Enrique në PSG, pasi ka grumbulluar vetëm 111 minuta në fushë në Ligue 1. Ai ka një pagë të lartë, 10 milionë euro në vit plus shtesa, por Juventus duket i gatshëm të diskutojë një marrëveshje të mundshme me PSG.
Gjatë intervistës së tij të fundit me DAZN të dielën, drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli konfirmoi se bardhezinjtë mund të kërkojnë një qendërmbrojtës të ri në afatin kalimtar të dimrit: “Është ende shumë herët për të thënë, kështu që do të shohim se si do të reagojë skuadra dhe nëse ka ndonjë mundësi në janar.”
Lojtarë të tjerë, si qendërmbrojtësi i Arsenalit, Jakub Kiëior dhe Sam Beukema i Bolonjës, janë lidhur me një lëvizje në janar në Torino për të zëvendësuar Bremerin.