Pas përfundimit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, skitarja Kiana Kryeziu është duke vazhduar garat e saj në Kollashin të Malit të Zi.
Skitarja kosovare zhvilloi sot dy gara të sllallomit të madh, ku në garën e dytë nga 12 garuese zuri vendin e katërt, kurse koha e Kryeziut pas dy lëshimeve ishte 1 minutë e 53.16 sekonda, kohë kjo e cila nuk i mjaftoi të përmbushë normë olimpike.
Në garën e parë në po të njëjtën disiplinë, Kiana u diskualifikua, kurse sot gara zhvilloi edhe Arba Pupovci e cila në dy garat e saj përfundoi e 10-ta.
Përzgjedhësi i Kosovës në sportin e skitarisë, Agim Pupovci, tregoi se Kianës i kushtoi një gabim në lëshimin e dytë, gabim ky që ia pamundësoi vendin e tretë.
Kryeziu në edicionin e kaluar ka përmbushur një kriter të normës olimpike në sllallom, por për të fituar normën për Pekin 2022, i duhen edhe katër rezultate me më pak se 160 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).