Sorschag, që në janar të këtij viti vendosi të lë Austrinë dhe të garojë për Kosovën në garat ndërkombëtare, është dashur të presë rreth 10 muaj për t’iu dhënë drita e gjelbër nga Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS).
FIS ka vendosur flamurin e Kosovës tashmë në uebfaqe, tek profili zyrtar i Sorschagut.
Deri tek konfirmimi i FIS-it, është dashur një punë e gjatë insistimesh dhe kërkesash, të bëra nga drejtuesit e KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi e sekretarit të përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi.
I pari i KOK-ut, Krasniqi dhe i pari i skitarisë në Kosovë, Kelmendi, falënderuan FIS-in, që përkundër vonesës, i dha lajmin e shumëpritur FSK-së.
Kelmendi, që është edhe nënpresident i KOK-ut, shtoi se tani e tutje presin që 24-vjeçarja të përfaqësojë denjësisht Kosovën në garat e rëndësishme ndërkombëtare.
Sophie Sorschag ka një bagazh të madh në kërcimet me ski. Ajo u shpall kampione e botës në garat ekipore me Austrinë në vitin 2021, ndërsa mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Karriera dhe potenciali i saj japin shpresa për medalje historike për Kosovën në sportet dimërore, pse jo edhe në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Kortina 2026.