Ish-kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka bërë një analizë të rëndësishme lidhur me situatën aktuale të klubit dhe të trajnerit Daniele De Rossi, duke paralajmëruar rreziqet e mundshme që i kanosen këtij të fundit.
Në një intervistë për gazetën “Il Messaggero”, Totti shprehu shqetësimet e tij për investimet e mëdha të klubit. Ai theksoi se Roma duhet domosdoshmërisht të arrijë në Ligën e Kampionëve pas shpenzimeve të mëdha, përndryshe do të përballet me dështim. “Nëse investoni 100 milionë euro dhe nuk arrini atje, është një dështim total. Daniele rrezikon i pari,” theksoi Totti.
Pavarësisht shqetësimeve, Totti shprehu besim në aftësitë e De Rossit si trajner, duke e quajtur atë njeriun e duhur për postin. Ai theksoi se De Rossi ka një grup pune të vlefshëm dhe e njeh mirë ambientin e klubit. Megjithatë, Totti paralajmëroi se nëse rezultati nuk do të ishte pozitiv, përgjegjësia do të bie mbi De Rossin.
Ish-kapiteni e krahasoi situatën e De Rossit me përvojën e tij dhe të José Mourinhos, duke thënë se në raste të tilla, e kaluara e De Rossit si futbollist dhe kapiten ka shumë pak rëndësi. “Këshilla ime është të fitojë respekt dhe të flasë me stafin e njerëzve afër tij,” sugjeroi ai.
Totti theksoi gjithashtu se zgjedhjet e fundit në merkato kanë qenë të dyshimta dhe se çdo dështim i klubit do të rrisë presionin mbi De Rossin. “E gjithë vëmendja është mbi të tani. Ai duhet të tregojë se është në gjendje të përballojë këtë sfidë,” përfundoi Totti./UBTNews/