Edicioni i këtij viti i Festivalit të Bayreuth, një nga ngjarjet më të rëndësishme të operës në botë, ka hapur dyert me një prodhim të ri të operas së Richard Wagnerit, “Tristan dhe Isolde.” Regjia e kësaj shfaqjeje është në dorën e regjisorit islandez Thorleifur Örn Arnarsson, dhe për herë të parë, festivali po shqyrton aspektet më të errëta të këtij monumenti të dashurisë.
Hapja e festivalit, që përfshinte premierën e shumëpritur të “Tristan dhe Isolde,” ka sjellë një sërë surprizash që kanë lënë të impresionuar edhe kritikët e artit. Sopranoja Camilla Nylund, e cila interpreton rolin e Isolde, dhe tenori Andreas Schager si Tristan, kanë marrë përgëzime të mëdha për performancat e tyre. Po ashtu, dirigjenti rus Semyon Bychkov është lavdëruar për mënyrën e tij të ndjeshme në interpretimin e tonaliteteve më të brishta të Wagnerit.
Megjithatë, regjisorët Arnarsson dhe këshilltari dramatik Andri Hardmeier janë pritur më ftohtë. Skenografia e qëndrueshme dhe e errët ka bërë që shfaqja të duket e ngadaltë dhe ndonjëherë monotone, duke lënë një përshtypje të përzier te publiku.
Debutimi i sukesshëm i dirigjentes australiane
Në anën tjetër, dirigjentja australiane Simone Young ka bërë një debut të jashtëzakonshëm në Festivalin e Bayreuth. Interpretimi i saj i pjesës së parë të ciklit të madh të Nibelungut, “Ring of the Nibelung,” është pritur me një ovacion të fortë dhe duartrokitje. Young është e para grua që dirigjon këtë cikël në historinë e festivalit që zgjat pothuajse 150 vjet.
Përveç Young, këtë sezon në Bayreuth, dy dirigjente të tjera femra, Oksana Lyniv dhe Natalie Stutzmann, janë në skenë, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm nga dominimi tradicional mashkullor i podiumit të dirigjentëve.
Një histori e dashurisë dhe tradhtisë
“Tristan dhe Isolde” është një operë që trajton një histori të ndërlikuar dashurie dhe tradhtie. Në këtë prodhim të ri, Arnarsson e sjell historinë e dy protagonistëve në një skenë që duket si një anije e shkatërruar, duke nxjerrë në pah kufizimet shoqërore që pengojnë bashkimin e tyre. Në fund, shpresa e tyre vdes dhe ata kërkojnë vdekjen përmes helmit.
Wagner i ka dhënë një përmasë të veçantë operës së tij me muzikën që sfidon kufijtë e tonalitetit dhe harmoniës së kohës. “Është muzikë që të kap dhe nga e cila nuk mund të shpëtosh,” shpjegon dirigjenti Bychkov.
Ndikimet kulturore dhe sytë kah e ardhmja
Richard Wagner ka tërhequr inspirim nga mite dhe legjenda të kulturave të tjera, përfshirë legjendën keltike për Tristanin dhe Isolden. Përveç ndikimeve të tjera kulturore dhe filozofike, si për shembull filozofia budiste e Schopenhauerit, Wagner përfaqëson dashurinë që kalon deri në vdekje si një mënyrë për të arritur shpëtimin nga vuajtja.
Për të ardhmen, festivali ka planifikuar një prodhim të ri të “Die Meistersinger von Nürnberg” për vitin 2025 dhe festën e 150-vjetorit në 2026, kur do të performohen të gjitha 10 operat e Wagnerit nga repertori rotues i festivalit.
Ky edicion i Festivalit të Bayreuth shënon një përpjekje për të eksploruar thellësitë e dashurisë dhe tradhtisë në një nga veprat më të mëdha të muzikës klasike, duke ofruar një pasqyrë të pasur dhe të thellë të krijimtarisë së Richard Wagnerit./UBTNews/
Nga DW, përkthyer dhe përshtatur nga D.E