Në bukurinë e Pogradecit, edicioni i 14-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë ka filluar, me një ngjarje që pret të frymëzojë dashamirësit e kinematografisë dhe gastronomisë nga i gjithë rajoni. Festivali fillon më 25 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 qershor, duke u zhvilluar në dy lokacione të Pogradecit.
Festivali, i njohur për të sjellë kulturën e Ballkanit në një bashkësi të përbashkët artistike, hapet me premierën e filmit shqiptar “Sofija”, e drejtuar nga Eduard Grisha.
“Është një festival i cili ka hyrë tashmë në traditën e vendit tonë. Një festival Ballkanik ku marrin pjesë aktor, regjisor, skenarist nga i gjithë Ballkani. Risia për këtë vit është se ky festival fillon me një film shqiptar siç është filmi “Sofija” nga Eduard Grisha dhe më pas do të vazhdojë me një kalendar të pasur me filma me metrazh të shkurtër dhe metrazh të gjatë”, u shpreh Entela Gusho, Nënkryetare e Bashkisë Pogradec.
Gjatë këtyre pesë ditëve, filma nga e gjithë Ballkani do të shfaqen duke ofruar një spektër të gjerë temash dhe vizioneve artistike. Mbështetja e Bashkisë Pogradec dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ka mundësuar realizimin e këtij festivali, i cili çdo vit rritet në prestigj dhe vlerë për komunitetin kulturor rajonal, shkruan RTSH.
Festivali synon të përforcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor mes vendeve të Ballkanit, duke promovuar diversitetin kulturor dhe artistik të rajonit nëpërmjet filmit dhe kuzhinës.
Kjo ngjarje paraqet një mundësi unike për publikun të eksplorojë vlerat e artit dhe ushqimit ballkanik në një ambient të bukur natyror si Pogradeci./UBTNews/