UBT News

Skema me naftën Kosovë-Shqipëri: Bastisen dhjetëra biznese, 9 të arrestuar

Dhjetëra biznese të shitjes dhe disa importues të naftës janë vënë në shënjestër të një operacioni të gjerë bastisjesh, i cili ka filluar sot në mëngjes në disa zona të ndryshme të Kosovës.

Aksioni i koordinuar nga Prokuroria e Kosovës është duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën dhe njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Sipas burimeve të para të Ekonomia online nga prokuroria, deri më tani janë vënë në pranga nëntë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nëpër lokacione të ndryshme, hetuesit kanë arritur të sekuestrojnë një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme, armë, kompjuterë, dokumente të ndryshme dhe fatura që dyshohet se janë fiktive, të cilat lidhen drejtpërdrejt me këtë veprimtari të paligjshme.

Dyshimet fillestare të organeve të rendit zbulojnë një skemë të mirëorganizuar të mashtrimit dhe shmangies tatimore. Nafta importohej fillimisht nga kompanitë kosovare dhe kalonte transit përmes territorit të Shqipërisë.

Duke shfrytëzuar dallimet e taksës së akcizës dhe tatimeve mbi karburantet mes dy vendeve, një pjesë e naftës dyshohet se shkarkohej ilegalisht në Shqipëri për t’u shitur më pas në tregun e zi.

Përmes kësaj metode, të dyshuarit i kanë shmangur detyrimet fiskale, duke i shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit, ndërsa operacioni i bastisjeve po vazhdon ende në terren.

/Ekonomia online/ /E.A/

Exit mobile version