Ish-eurodeputeti italian, Antonio Panzeri, i akuzuar për skandalin e korrupsionit në Parlamentin Evropian, ka rënë dakord që të rrëfejë gjithçka për shtetet e përfshira dhe skemën e funksionimit të këtij skenari.
Ish-deputeti i Parlamentit Evropian, një nga katër të dyshuarit që mbahen në Belgjikë, dyshohet e ka marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin e Brukselit.
Panzeri ishte përfshirë në një organizatë kriminale e cila dyshohet se u përpoq të drejtonte zgjedhjet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian në këmbim të ryshfetit.
Katari ka mohuar ashpër se është përpjekur të fitojë ndikim përmes dhuratave dhe parave, ndërsa Maroku gjithashtu ka hedhur poshtë me forcë akuzat se ka kërkuar ndikim në çështje të tilla si të drejtat e peshkimit dhe statusi i diskutueshëm i Saharasë Perëndimore.
Katër të dyshuarit u akuzuan muajin e kaluar pas sekuestrimit të rreth 1.5 milionë eurove. Prokurorët thanë se Panzeri ra dakord për marrëveshjen për pranimin e fajësisë sipas një ligji për informatorin, i përdorur vetëm një herë më parë në Belgjikë.
“Ai pranoi përgjegjësinë penale. Është e rëndësishme të dihet se ky është një njeri që është shkatërruar dhe nuk i ka mbetur shumë jetë. Klienti im shpresonte të “siguronte situatën e tij” duke rënë dakord të “tregonte gjithçka që di për rastin”, tha avokati i tij, Marc Uyttendaele.
Të dyshuarit e tjerë përfshijnë një eurodeputete greke në detyrë, Eva Kaili, së cilës i është hequr roli i saj si nënkryetare e Parlamentit, partneri i saj Francesco Giorgi dhe lobisti Niccolò Figà-Talamanca.