UBT News

Skandal në Ligën e Kampionëve të Azisë, gjyqtari zëvendësohet në pushim pas dyshimeve për konsumim të alkoolit

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Ligën e Kampionëve të Azisë 2, ku gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Al Jaziras dhe Gol Goharit është zëvendësuar në pushimin mes pjesëve, pas ankesave të të dyja skuadrave për sjelljen e tij gjatë takimit.

Në qendër të këtij rasti është gjyqtari sirian Hanna Hattab, për të cilin përfaqësuesit e dy klubeve pretendohet se kanë raportuar sjellje të pazakontë dhe dyshime për konsumim të alkoolit. Megjithatë, këto pretendime ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Sipas raportimeve të mediave iraniane Varzesh3 dhe Eghtesadnews, situata nisi të tensionohej në minutën e 32-të, kur Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, pas një ndërhyrjeje të mbrojtësit të majtë të skuadrës vendase ndaj futbollistit të Gol Goharit, Ali Asghar Ashouri.

Vendimi shkaktoi protesta të shumta nga futbollistët dhe stafi teknik i Al Jaziras, duke bërë që ndeshja të ndërpritej për rreth katër minuta.

Megjithatë, situata mori përmasa edhe më serioze në pushimin mes pjesëve, kur trajneri i skuadrës iraniane pretendoi se gjyqtari nuk ishte në gjendje të përshtatshme për të vazhduar drejtimin e ndeshjes.

“Ne kemi informuar Konfederatën Aziatike të Futbollit (AFC) se gjyqtari nuk është në gjendje normale dhe se ekipi ynë nuk do të dalë në fushë për pjesën e dytë”, raportohet të ketë deklaruar trajneri i Gol Goharit.

Pas ankesave dhe kërcënimit të klubit iranian për të mos vazhduar takimin, u mor vendimi që gjyqtari i katërt të merrte përsipër drejtimin e ndeshjes për pjesën e dytë.

Sipas mediave iraniane, edhe drejtuesit e Al Jaziras kishin vërejtur sjellje të pazakontë nga gjyqtari sirian dhe e kishin raportuar rastin te zyrtarët e AFC-së.

Deri më tani, Konfederata Aziatike e Futbollit nuk ka publikuar ndonjë sqarim zyrtar për arsyet e zëvendësimit të Hattabit. Po ashtu, pretendimet për konsumimin e alkoolit mbeten të pakonfirmuara.

Në aspektin sportiv, Al Jazira arriti të fitojë me rezultat minimal 1-0, falë golit të Talisca-s.

Ndërkohë, eksperti ligjor iranian Houshang Nasirzadeh ka deklaruar për Varzesh3 se incidenti mund të ketë pasoja edhe në vlefshmërinë e rezultatit, duke mos përjashtuar mundësinë e anulimit të ndeshjes.

Tashmë mbetet të shihet nëse AFC do të nisë një hetim zyrtar dhe nëse ky incident i pazakontë do të sjellë pasoja disiplinore apo edhe ndryshime në rezultatin përfundimtar të takimit.

D.L

Exit mobile version