Prokurorët turq kanë urdhëruar arrestimin e 21 personave, mes tyre 17 gjyqtarë dhe presidenti i një klubi të Super Ligës, si pjesë e një hetimi për baste të paligjshme në ndeshje futbolli.
Hetimi vjen pas vendimit të Federatës Turke të Futbollit (TFF) javën e kaluar për të pezulluar 149 gjyqtarë dhe asistentë, pasi u zbulua se shumë prej tyre kishin llogari bastesh. Sipas agjencisë shtetërore Anadolu, deri tani janë ndaluar 18 prej tyre.
Zyra e prokurorit të Stambollit tha se gjyqtarët dhe zyrtarët e dyshuar akuzohen për manipulim rezultatesh dhe shpërdorim detyre. Një ish-pronar klubi dhe një ish-president i një shoqate futbolli janë gjithashtu nën hetim.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, e quajti rastin “një krizë morale për futbollin turk”. Hetimi i federatës zbuloi se mbi gjysma e gjyqtarëve aktivë në ligat turke kishin llogari bastesh, ndërsa disa prej tyre kishin vendosur baste mijëra herë./S.K/KP/
