UBT News

Situatë e tensionuar në PSG

Duket se situata brenda gjigantit francez Paris-Saint Germain nuk është aspak e qetë derisa raportohet se ka shumë probleme që po e mundojnë trajnerin Mauricio Pochettino.

Gazeta franceze “L’Equipe” përmbledh të gjitha problemet brenda dhomës së zhveshjes së PSG-së në pjesën e parë të sezonit, duke përfshirë raportin jo të mirë midis Gianluigi Donnarummas dhe Keylor Navasit.

22-vjeçari italian iu bashkua gjigantëve të Ligue 1 në një transferim të lirë nga Milani verën e kaluar. Megjithatë, ai nuk është një titullar i rregullt në Paris, pasi ka luajtur vetëm 11 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon.

Muajin e kaluar, agjenti i tij Mino Raiola pohoi se nuk kishte probleme me PSG-në edhe pse klienti i tij kishte pranuar se konkurrenca me Keylor Navas ishte shqetësuese.

Një raport nga “L’Equipe” konfirmon se marrëdhënia mes dy portierëve është mjaft e dobët.

Sipas gazetës franceze, marrëdhënia mes të dyve po prishet vazhdimisht dhe situata vështirë se do të përmirësohet në pjesën e dytë të sezonit.

Megjithatë, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, përjashtoi problemet mes tyre. “Mendoj se pas pesë muajsh punë është një mirëkuptim i situatës. Unë besoj se konkurrenca mund të jetë e shëndetshme. Është një garë e vërtetë dhe ka një atmosferë të mirë në stërvitje”, tha ai.

“Të gjithë po përfitojnë nga kjo dhe ne duhet të lavdërojmë portierët tanë sepse ata e kanë kuptuar situatën dhe niveli i tyre mund të rritet vetëm tani”, shtoi Pochettino.

Megjithatë, egot e mëdha brenda dhomës së zhveshjes po i shkaktojnë probleme trajnerit argjentinas.

Leo Messi dhe Leandro Parades nuk u paraqitën në stërvitje një ditë pas ceremonisë së Topit të Artë, ndërsa klubi nuk e sanksionoi Neymarin për vonesën në një takim me një sponsor.

Gjithashtu, sipas raportit, disa lojtarë nuk e kuptojnë Pochettino-n dhe disa vendime si p.sh. kur ai i dha tri ditë pushim për Mauro Icardin pas problemeve të tij në martesë me Wanda Narën.

Exit mobile version