Një studim zbuloi se koronavirusi që shkakton COVID-19 mund të përhapet brenda disa ditësh nga rrugët e frymëmarrjes deri në zemër, tru dhe pothuajse në çdo sistem organesh në trup, ku mund të vazhdojë të qëndrojë për muaj të tërë.
Në një analizë që konsiderohet si më gjithëpërfshirësja deri më sot lidhur me shpërndarjen dhe qëndrueshmërinë e virusit SARS-CoV-2 në trup dhe në tru, shkencëtarët në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë (IKSh) në SHBA thanë se kanë zbuluar që patogjeni është i aftë të riprodhohet në qelizat njerëzore edhe përtej traktit respirator.
Rezultatet, të cilat u publikuan në internet të shtunën dhe janë duke u shqyrtuar për botim në revistën shkencore Nature, tregojnë se pastrimi i vonuar viral është një kontribues i mundshëm në simptomat e vazhdueshme që përjetojnë personat që vuajnë nga pasojat afatgjata të COVID. Autorët thanë se të kuptuarit e mekanizmave sipas të cilave virusi vazhdon të qëndrojë në organizëm, së bashku me reagimin e trupit ndaj çdo rezervuari viral, mund të ndihmojë në përmirësimin e kujdesit për ata që janë të prekur nga këto pasoja.
“Kjo është një punë jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Ziyad Al-Aly, drejtor i qendrës së epidemiologjisë klinike në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor të Çështjeve të Veteranëve St. Louis në Misuri, i cili ka udhëhequr studime të veçanta për efektet afatgjata të Covid-19. “Për një kohë të gjatë, ne kemi qenë të paqartë për arsyet pse Covid-i afatgjatë duket se prek kaq shumë sisteme organesh. Ky studim hedh pak dritë dhe mund të ndihmojë në shpjegimin e arsyes pse pasojat afatgjatë të Covid-it mund të prekin edhe njerëzit që kishin një sëmundje akute të butë ose asimptomatike”.
Gjetjet dhe teknikat nuk janë shqyrtuar ende nga shkencëtarë të pavarur dhe kryesisht kanë të bëjnë me të dhënat e mbledhura nga rastet fatale të Covid-it, jo nga pacientët me Covid afatgjatë ose me “pasojat post-akute të SARS-CoV-2”, siç quhet ndryshe.
Gjetjet kontestuese
Prirja e koronavirusit për të infektuar qelizat jashtë rrugëve të frymëmarrjes dhe të mushkërive është e kontestuar, pasi studime të shumta japin prova pro dhe kundër kësaj mundësie.
Studimi i kryer në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë (IKSH) në Bethesda, Maryland, bazohet në marrjen e mostrave të shumtë dhe analizën e indeve të marra gjatë autopsisë së 44 pacientëve që vdiqën pasi u infektuan me koronavirus gjatë vitit të parë të pandemisë në SHBA.
Ngarkesa e infeksionit jashtë traktit respirator dhe koha e nevojshme për të pastruar virusin nga indet e infektuara nuk përcaktohen mirë, veçanërisht në tru, shkroi Daniel Chertow, i cili drejton seksionin e patogjenëve në zhvillim në IKSh, bashkë me kolegët e tij.
Grupi zbuloi ARN të SARS-CoV-2 në pjesë të shumta të trupit, duke përfshirë zona në të gjithë trurin, pas plot 230 ditësh nga shfaqja e simptomave të para. Kjo mund të shkaktojë infektimin me grimca të dëmtuara të virusit, i cili është përshkruar në infektimin e vazhdueshëm me virusin e fruthit, thanë ata.
“Ne nuk e kuptojmë plotësisht Covid-in afatgjatë, por këto ndryshime mund të shpjegojnë simptomat e vazhdueshme”, tha Raina MacIntyre, profesore e biosigurisë globale në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Sidnei. MacIntyre nuk ishte pjesë e këtij studimi, për të cilin ajo tha se “ofron një paralajmërim për pakujdesshmërinë lidhur me infektimin masiv te fëmijët dhe të rriturit”.