Mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik dje i morën pagat e para me ligjin e ri për paga, por me pagën e muajit shkurt, atyre nuk iu llogariten edhe shtesat.
Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë deklaruar se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Përveç kësaj, dje zyrtarët policorë me pagat e muajit shkurt nuk i kanë morën edhe shtesat për rrezikshmërinë. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te ta dhe nuk përjashtojnë mundësinë për protesta.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri thekon se me ekzekutimin e pagave me ligjin e ri, nuk është përfshirë rrezikshmëria, derisa shtoi se tek një pjesë e punonjësve nuk ka pas as rritje të pagës.
Lidhur me pakënaqësitë e tyre, Zeqiri tha se me datën 3 shkurt kanë dërguar edhe ankesën tek Avokati i Popullit për dërgimin e Ligjit të pagave në Kushtetuese.
“Në pagë nuk është përfshirë shtesa e rrezikshmërisë, që këtu është pakënaqësia më e madhe. Që nga ekzekutimi i pagave kam pas shumë kontakte nga kolegët të cilët vazhdimisht janë duke i shprehur pakënaqësitë e tyre. Kjo për ne është e papranueshme. Vetëm nga mediat kam marrë informacion që është formuar një grup punues për punën e rrezikshmërisë së policëve nga ana e qeverisë, nuk e di kush është në atë grup. Ne si sindikatë nuk jemi të përfshirë dhe as menaxhmenti i policisë dhe nuk di si do të dalë, nuk e dimë me çfarë forme dhe në cilën mënyrë apo sa do të jenë ato shtesa të rrezikshmërisë. Aktualisht pakënaqësitë i kemi jashtëzakonisht të mëdha, kërkesat e policisë janë nga më të ndryshmet deri edhe në eskalim situate apo veprime sindikale, radikale…Tek një pjesë nuk kemi ngritje të pagave dhe te një tjetër kemi zbritje, por që nuk i kanë marrë me zbritje për shkak që Ligji e mbron që në vitin e parë edhe kur atakohet nuk ka zbritje të pagave”, thekson Zeqiri.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi tha se përveç se nuk janë të kënaqur me Ligjin e ri të pagave, sipas tij ka lëshime në ekzekutimin e pagave. Sipas tij, për të njëjtin profesion me të njëjtin vend të punës ka dallim në paga.
“Kjo dalje ka qenë katastrofike, ne e kundërshtojmë fuqishëm pasi që është pritë shumë lidhur me këtë ligj dhe është shpresuar se do të jenë paga të dinjitetshme. Por, në bazë të informatave që kam pranuar nga zyrtarët tjerë jam i shokuar, duke marrë parasysh se shumica e shërbyesve civil janë klasifikuar profesional 3 që i bie 380 euro dhe krahas kësaj edhe parimi për punë të njëjtë, pagë të njëjtë nuk është respektuar, ku kemi parasysh se nëpër komuna dhe institucione tjera vinë informata që i njëjti profesion me të njëjtin vend punës po dallojnë. Kjo është fatkeqësi, dëshiroj të besoj se ky është ndonjë lëshim teknik i Ministrisë së Financave, pasi që këto paga sidomos të tilla janë të papranueshme, jo vetëm për ne si sindikata por për të gjithë shërbyesit civil…Bëjë thirrje qeverisë që me urgjencë t’i kontaktojë të gjitha organizatat punëdhënëse, komunat dhe ministritë dhe të kërkojë që të identifikohen gjitha këto lëshime, pasi kjo rrogë është e papranueshme për shërbimin civil”, thotë Gashi.
Edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrëfikësve, Muharrem Beka shprehet i zhgënjyer për mos përfshirjen e rrezikshmërisë në ekzekutimin e pagave. Ai po ashtu tha se ka informacione se ka lëshime në paga, derisa shton se ka zjarrfikës që ka marrë pagë më shumë se udhëheqësi i ndërrimit.
Sipas tij, ka pasur raste kur nuk ka pasur rritje fare të pagave, apo një një zjarrëfikës është paguar më shumë se një udhëheqës. Ai konsideron që qeveria urgjentisht duhet të marrë masa lidhur me këtë.
“Dje kam pas vërejtje prej shumë Njësive se rritje të pagave nuk ka pasur. Rrezikshmëria prej 107 euro dhe të hyrat të shërbyesve civilë mungojnë, pra është një rritje minimale, por varët edhe nga njësitë e ndryshme, disa ka laramani edhe brenda që shpresoj të jetë gabim në sistem. Ka zjarrfikës që ka marrë pagë më shumë se udhëheqësi i ndërrimit, pra kemi pas problem, sepse nuk e kemi pas të rregulluar strukturën organizative, nuk kemi pas edhe pozitat e rregulluara”, deklaroi Beka.
Ndërsa zyrtarë të Institucionit të Avokatit të Popullit kanë bërë të ditur se janë duke i trajtuar 40 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik.
“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 40 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Instituti i Avokatit të Popullit”, kështu thuhet në një përgjigje me shkrim nga zëdhënësi Petrit Çollaku.
Ligji për Paga ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023.