Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas incidentit të së mërkurës, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar për disa orë në nëntokë si pasojë e një defekti elektrik.
Përmes një komunikate për media, Sindikata e ka cilësuar rastin si një “alarm serioz” që nuk guxon të kalojë në heshtje, duke theksuar se nuk mund të pritet tragjedia për të marrë masa. Përfaqësuesit e minatorëve kërkojnë nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë e transparent, përcaktim të përgjegjësive, si dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës dhe rrugëve të emergjencës.
Sindikata njoftoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për pajisjet e vjetruara, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve nga shteti, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që punëtorët të mos vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën. /E.A/
