UBT News

Sindikata e Policisë kërkon pagesë shtesë për angazhimin e policëve gjatë pandemisë COVID-19

Delegacioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës do t’i drejtohet me një kërkesë të veçantë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për një shtesë për punën e kryer gjatë vitit e sidomos për angazhim të shtuar gjatë pandemisë për të gjithë zyrtarët policorë dhe atyre të stafit civil të PK-së.

Kështu u bë e ditur në një komunikatë për media, pas takimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri dhe nënkryetarit Avdi Hoti me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e Sindikatës, në këtë takim kanë shtruar shumë çështje me interes për Policinë e Kosovës, ku është diskutuar edhe për tri çështjet më kryesore si ‘Ligji për paga’, ‘Ligji për sigurimin shëndetësor’ dhe ‘Ligji për pensionim të parakohshëm’.

“Ministri Sveçla është pajtuar që bashkërisht me Sindikatën e PK-së të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtyre kërkesave sa më parë. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për sfidat që ballafaqohen çdo ditë zyrtaret policorë dhe kushtet e tyre në punë”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version