Galeria Kombëtare e Kosovës hapi dje dyert për ekspozitën kolektive të titulluar “Nga Koleksioni: Kur Qeniet Takohen”, e cila sjell një pasqyrë të veprave të përzgjedhura nga 24 artistë, emra të njohur të artit pamor në periudha të ndryshme kohore.
Ky lajm është konfirmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale. Ekspozita shfaq një histori të thellë dhe të ndërthurur të artit, duke e lidhur atë ngushtësisht me përfaqësimin e jetës dhe identitetit, si dhe me pozitat e njerëzve në raport me qeniet jonjerëzore.
Një nga pikënisjet kryesore të kësaj ekspozite është prezantimi i kafshëve në artin pamor për një periudhë të gjatë, duke përfshirë vepra që datojnë nga fundi i shekullit XX, të cilat janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Këto vepra e përshkruajnë përfaqësimin e thjeshtë të kafshëve, duke i paraqitur ato në mjedise imagjinare dhe reale, dhe duke mjegulluar hierarkitë mes qenieve.
Në këtë ekspozitë, piktura e Mikel Gjokajt dhe skulpturat e Radoslav Musa Miketić-it dhe Dragoljub Adžić-it, krijojnë një dialog mes qenieve njerëzore dhe atyre jonjerëzore, duke sjellë në pah cilësi antropomorfe. Të tre artistët e referohen figurës mitologjike greke Ikarus, një simbol i ambicies dhe tragjedisë, i cili u shua pasi fluturoi shumë afër diellit, duke i shkriyer krahët prej dylli.
Ekspozita është kuruar nga Hana Halilaj dhe Shkamb Jaka, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer në organizimin e këtij evenimenti që mbledh artin dhe emocionet, duke ftuar vizitorët të eksplorojnë marrëdhënien komplekse mes qenieve, qoftë ato njerëzore apo jonjerëzore.
Ky event përbën një mundësi të shkëlqyer për dashamirësit e artit për të reflektuar mbi rolin e kafshëve në art dhe jetën tonë, duke u thelluar në një botë ku artin e ndërlidhim me natyrën dhe identitetin tonë si njerëz./UBTNews