Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, u shpreh entuziast pas fitores 0-1 ndaj Andorrës, pasi që i siguroi Shqipërisë kualifikimin historik në “play off”-in e Botërorit 2026.
“Ishte ndeshje e vështirë. Ne po rritemi, por nuk jemi Gjermania që shkon e fiton 6-0. Dikush thotë shko e u bë 6, por futbolli nuk është kështu”, tha Silvinjo
Ai kujtoi se edhe skuadra të mëdha kanë vuajtur kundër Andorrës.
“Anglia e ka mundur 1-0, Letonia barazoi, Serbia ishte 1-1 në pjesën e parë. Duhet t’i respektojmë. Unë akoma nuk e kam kuptuar që për herë të parë po shkojmë në “play-off”. Është një natë e mrekullueshme. Po pyesja si ishin të tjerët, pashë që dikush ishte i mërzitur, nuk e kuptoj pse. Duhet të festojnë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Jam krenar për të gjithë. Më vjen keq për Pajazitin e Caken. Edhe ata që nuk luajtën janë pjesë e rrugëtimit”, u shpreh ai.
Trajneri rikujtoi paraqitjet pozitive të skuadrës në kualifikueset e Botërorit.
“Kemi humbur vetëm në Londër ndaj Anglisë. Nuk e di nëse ndonjëri nuk është i kënaqur, por për mua arritja e “play-off”-it me një ndeshje para fundit është diçka e jashtëzakonshme”.
Silvinjo e mbylli prononcimin me një mesazh për tifozët.
“Tifozët meritojnë gjithçka. Kur njerëzit në Tiranë të thonë faleminderit për punën, kjo të jep forcë. Sonte është nata e tyre”, tha ai./S.K/KP/
