Portugalia do të jetë pengesa e fundit për Maqedoninë në rrugën drejt Botërorit “Katar 2022”. Të martën do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë, e cila do të jetë e forcuar me rikthimin e Elif Elmasit kundrejt yjeve portugeze si Kristiano Ronaldo, Bruno Fernandez dhe Bernardo Silva, që do të drejtojnë kombëtaren e tetë në botë, sipas renditjes së FIFA-s.
“Maqedonia ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit jashtë fushe. Ata arritën të mposhtin Gjermaninë dhe Italinë, dy nga kombëtaret më të mira në botë. Duhet të kemi kujdes nga kundërsulmet. E dimë që kundërshtari do të mbrohet. Nuk e di nëse do të kemi shumë raste për të shënuar. Është e rëndësishme se luajmë në shtëpi, ku do të kemi mbështetjen e tifozëve. Presim që stadiumi të jetë i plotësuar si edhe kundër Turqisë”, tha mes tjerash Bernardo Silva.
Portugalia do të përballet me Maqedoninë të martën në stadiumin “Dragao” në Porto në orën 20:45.