Sot, kur bota bashkohet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Kosovën ky 1 Maj e gjen në një udhëkryq të dhimbshëm mes zhvillimit ekonomik dhe humbjes së jetëve të njerëzve në vendin e punës.
Në vend të festës, ky përvjetor na ballafaqon me një bilanc të rëndë: 743 raste lëndimesh të raportuara brenda pak më shumë se një viti.
Ky nuk është thjesht një numër në arkivat e Inspektoratit Qendror të Punës, por janë 743 punëtorë që u nisën për të siguruar kafshatën e gojës, por përfunduan në spitale, duke u përballur me pasoja që shpesh u ndryshojnë jetën përgjithmonë.
Edhe më tronditës është bilanci i atyre që nuk u kthyen kurrë në shtëpi. Brenda 16 muajve të fundit, 27 punëtorë humbën jetën në vendin e tyre të punës, duke e shndërruar ambientin e punës në vend zie.
Vetëm gjatë vitit 2025 u raportuan 620 lëndime dhe 19 fatalitete, ndërsa trendi ka vazhduar edhe në pjesën e parë të vitit 2026 me 123 lëndime të reja dhe 5 humbje jete deri në prill.
(Shënim: Pas marrjes së përgjigjeve zyrtare nga Inspektorati, shifrat kanë ndryshuar pasi brenda javës janë shtuar edhe tri raste të vdekjeve në vendin e punës. Kjo e rrit numrin total në 27 punëtorë që humbën jetën brenda 16 muajve, nga 24 sa ishte raportuar fillimisht.)
Sektori i ndërtimtarisë mbetet sektori me i rrezikshëm, ku lartësitë e skelave shpesh bëhen fatale në mungesë të masave rigoroze të sigurisë.
Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë ekziston për të garantuar mbrojtjen e secilit punëtor, por zbatimi i tij mbetet një betejë e hapur në terren. Gjatë vitit 2025, Inspektorati ka shqiptuar 1,747 gjoba ndaj punëdhënësve që nuk kanë respektuar kriteret e sigurisë, ndërsa këtë vit ka nisur një ofensivë kontrollesh të jashtëzakonshme. Deri në mars janë realizuar 85 inspektime të tilla, ndërsa aktualisht janë mbi 110 inspektime të tjera në proces e sipër, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
Lidhur me situatën aktuale, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, Visar Krelani, shpjegon se ndërtimtaria mbetet profesioni më i ndjeshëm për shkak të dinamikës dhe natyrës së punës. Por sipas tij, faji nuk duhet kërkuar vetëm te kompanitë, por te mungesa e një sistemi të mirëfilltë mbështetës.
Prof. Krelani thekson se kur shteti nxjerr ligje strikte, ai duhet gjithashtu t’i përkrahë bizneset për t’i zbatuar ato. Duke qenë se pajisjet mbrojtëse kanë kosto të lartë, ai propozon që shteti të stimulojë kompanitë përmes lehtësimeve në TVSH ose formave të tjera financiare. Në këtë mënyrë, siguria nuk do të shihej si një barrë financiare, por si një investim i përbashkët për jetën.
“Shteti duhet t’i përkrahë kompanitë përmes stimujve si zbritja e TVSH-së për pajisjet mbrojtëse, në mënyrë që zbatimi i masave të sigurisë të jetë më i lehtë dhe barra të mos bjerë vetëm mbi bizneset, por të kthehet në një bashkëpunim të mirëfilltë për mbrojtjen e jetës”, shprehet profesori Krelani
Ndërsa 1 Maji në shumë vende shërben si moment proteste për kushte më të mira, në Kosovë kjo ditë mbetet kryesisht një festë zyrtare që hesht përballë tragjedive. Derisa pajisjet mbrojtëse të shihen si detyrim jetik dhe jo si kosto e tepërt, kjo datë për familjet e punëtorëve tanë do të mbetet më shumë një kujtesë zie sesa një ditë dinjiteti.
