Sigal Prishtina ka regjistruar një fitore të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll, duke mposhtur Bashkimin me rezultat të ngushtë 79:77, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë, pa praninë e shikuesve.
Përballja e fundit e xhiros së pestë solli rivalitet dhe emocione deri në sekondat e fundit. Bashkimi, që vinte pas gjashtë fitoreve radhazi dhe konsiderohej favorit, hasi në rezistencën e fortë të prishtinasve, të cilët luftuan deri në fund për ta siguruar fitoren.
Minuta e fundit nisi me epërsinë 78:77 të Prishtinës. Pas disa tentimeve të pasuksesshme nga të dyja skuadrat, Malcolm Armstead realizoi një gjuajtje të lirë, duke çuar rezultatin në 79:77. Bashkimi pati mundësinë e fundit për ta përmbysur rezultatin, por Shanon Shorter nuk arriti të shënonte nga distanca për tri pikë.
Më i dalluari te Prishtina ishte Vincent Golson me 30 pikë dhe gjashtë asistime, ndërsa Bryson Dawkins kontribuoi me 14 pikë e tetë kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Daniel Hankins Sanford, Malcolm Armstead dhe Edmond Azemi.
Në anën tjetër, Shanon Shorter ishte më efikasi te Bashkimi me 19 pikë, ndërsa Adrio Bailey dhe Lejson Zeqiri realizuan nga 15 pikë secili.
Pavarësisht humbjes, Bashkimi mbetet lider i tabelës me nëntë pikë, ndërsa Sigal Prishtina regjistron fitoren e tretë të sezonit, duke pasur bilanc prej tri fitoreve dhe dy humbjeve, njëjtë si Golden Eagle Ylli, Trepça dhe Bora.
D.L
