UBT News

Sidnei feston fundin e bllokimit 107-ditor

Qyteti australian i Sidneit ka dalë nga bllokimi pas gati katër muajsh, transmeton UBT News.

Pas njoftimit, njerëzit menjëherë u grumbulluan për të festuar në bare dhe dyqane të cilat u hapën në mesnatën e së hënës.

Shumë të tjerë kanë shijuar ribashkimet me vizita në shtëpitë e të afërmve dhe miqve.

Rregullat antiCovid kishin ndaluar vizitat në familje dhe udhëtimin përtej një zone 5 km, kështu duke ndarë shumë familje. Por shumica e kufizimeve tani janë lehtësuar për njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar.

Radhë të gjata kishin edhe dyqanet e berberëve dhe sallonet e thonjëve, përcjell UBT News.

Më shumë kufizime do të lehtësohen kur 80% e personave mbi 16 vjeç të vaksinohen plotësisht. Aktualisht, mbi 90% kanë marrë dozën e parë.

“Kanë qenë 100 ditë të vështira”, tha kryeministri i shtetit, Dominic Perrottet.

“Por përpjekjet që njerëzit kanë bërë menjëherë në të gjithë shtetin, për të dalë dhe vaksinuar, e kanë mundësuar këtë ditë të madhe”.

Bllokimi i Sidneit filloi në fund të qershorit pasi filloi një shpërthim i variantit Delta, duke çuar në mbi 50,000 infeksione dhe 439 vdekje deri më tani./UBTNews/

Exit mobile version