Shqiptarët e parë, që kanë emigruar në Zelandë të Re, kanë ardhur gjatë viteve 50’. Njëri prej tyre Petrit Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin “Goya” kanë mbërritur në Zelandë të Re më 1 maj 1951.
Numri i saktë nuk dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.
Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/, kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.
Lundërtari holandez Abel Tasman Evropiani i parë në Aotearoa
Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë… Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.
Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”, prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu, Halit Bajrami Kamber Rrustemi (vlonjat, i vrarë nga UDB-eja në Australi).
Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”
Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. “Nga Stambolli me vaporin “Goya” kemi mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë (Shqipëri). Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar, kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në Zelandë të Re.
Vdiq në Auckland, me gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Alliu. “Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja”.
Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndanë gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mirë shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Flitej edhe për tri gra shqiptare tjera nga Llogoraja e Vlorës të vendosura këtu para nesh, pastaj për shqiptarët nga Australia të cilët kishin ardhur për të kërkuar flori në lumenjtë e këtushëm, por ata nuk kanë qëndruar gjatë në Zelandë të Re. Sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politikë shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Kryetari i Lidhjes Mazhar Krasniqi dhe të gjithë ne të tjerët i përqendruam forcat në ruajtjen e traditave, gjuhës… mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me mërgatat simotra shqiptare në Australi, në Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do ta thyejë qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën… Sot edhe fëmijët tanë në këtë vend të bukur me demokraci të vërtetë kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, u rrit paksa numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandezë e të tjerë, në krye me kryeministren e atëhershme të Qeverisë së Zelandës, Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’u uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova.
Refugjatët e rinj të ’99-s
Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmendur se në mesin e refugjatëve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpi, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosen në Auckland, paralagjet: Orakei, Mission Bay, Pakuranga, Medolbank, Sten Jons, Kohimarama, Glendowie, Panmure, Onahunga, St. Heliers, Mt. Welligton, Buckland Beach, Epsom etj. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për profesione të ndryshme. Një numër prej tyre pas një viti me vetëdëshirë u kthyen në Kosovë. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët janë të shpërndarë nëpër shkollat ku i kanë të vendosura familjet, kurse gjimnazistët i ndjekin mësimet gati që të gjithë në shkollën e mesme “Selwyn College” /Kohimarama/.
Që të gjithë vendosen në qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 400 deri 500 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Vendi i preferuar për shqiptarët është paralagja Mission Bay. Nё Mission Bay zhvillojnë veprimtari hoteliere me shumë sukses: Muharrem Muharremi – Mema, Xhelal Jashari e Bajram Jusufi. Restorantet e tyre dallohen për specialitetet ushqimore, shërbimet me kohë, pastërti e rregull. Nё këtë paralagje të mrekullueshme të qytetit më të madh nё Zelandë tё Re ёshtё i njohur salloni për rregullimin e flokëve për meshkuj dhe femra që mban firmën e floktarit nga Prishtina Agim Agollit, “Gimmy’s Hair Desing”. Pronari i kompanisë për prodhimin e akullores Tair Tairi e ka zgjeruar veprimtarinë e vet, duke hapur këto ditë në Mission Bay ëmbëltore sipas yrnekut të ëmbëltoreve në Prishtinë e Shkup. Në grupin e shqiptarëve që kanë gjetur suksesin përmes restoranteve është edhe afaristi Abdullah Bashota me restorantin e tij të njohur “Red Elephant” si dhe të rinjtë Sokol Krasniqi e Astrit Jolla me restorantin “Safran” në një nga lagjet më luksoze të qytetit në Newmarket. Duhet thënë se pjesa dërmuese e punëtorëve në restorantet e përmendura janë shqiptarë. Salih Salihu me të bijtë Albanin, Agronin e Drilonin për një kohë të shkurtër ka arritur të bëhet model tipik i biznesmenit të suksesshëm. Grupit të biznesmenëve duhet shtuar edhe emrat e Burim Xharrës, Ismet Selimit, Ideal Huskajt, Burim Prekazit, Agron Hasanit, Drin Muratit, Sharr Brezartit etj., të cilët kanë bizneset e tyre. Një numër tjetër punojnë në tregti, administratë, ndërtimtari, mjekësi etj. Me ketë rast nuk duhet harruar të rinjtë shqiptarë, që i kanë kryer studimet dhe ata që pritet t’i kryejnë në Universitetet e qytetit të Auckland-it, të cilët brenda pak vitesh do të jenë yjet e punës intelektuale dhe të biznesit në ketë vend të zhvilluar.
Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme.
Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë…, pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.
*Marr nga libri “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha”, Auckland, 2010 të autorit Sabit Abdyli./ diaspora shqiptare/ KultPlus