UBT News

Si u shndërrua presidenti i Shri Lankës nga hero i luftës në një të arratisur?

Ata konsideroheshin heronj të vendit, liderët pothuaj mitikë luftëtarë-mbret që mundën separatistët në një luftë të përgjakshme civile. Por ditët e fundit të dinastisë Rajapaksa të Shri Lankës sollën një tregim ndryshe.

Në orët e hershme të së mërkurës, presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua nga kombi i Azisë Jugore, vetëm disa ditë pasi mijëra protestues të zemëruar thyen rezidencën e tij, duke i kërkuar që të largohet nga vendi. Ai pritej të jepte dorëheqjen gjatë asaj dite, por Gotabaya Rajapaksa nuk priti për ta zyrtarizuar. Në vend të kësaj, para agimit, të mërkurën ai hipi në një aeroplan ushtarak duke u larguar nga Colombo, kryeqyteti tregtar i vendit të goditur nga kriza, dhe iku në Maldive.

Largimi i tij është një moment historik për kombin ishullor prej 22 milionë banorësh, të cilin dinastia Rajapaksa-s e ka sunduar qe gati dy dekada para se qytetarët ta humbnin besimin ndaj tij.

“Pamja e Gotabaya Rajapaksa duke ikur nga Shri Lanka me një avion ushtarak tregon rënien e familjes”, deklaroi Ganeshan Wignaraja, bashkëpunëtor i lartë në ODI Global.

“Trashëgimia e tyre nuk mendoj se është pozitive. Por shpresojmë se Shri Lanka do të zhvendoset në një drejtim të ri”, shtoi ai tutje.

Ngritja e dinastisë Rajapaksa

Ndërsa vendi po bën hapat e tij të parë në epokën e guximshme, ekspertët thonë se duhet të analizohet se çfarë shkoi keq në fund. Ata sugjerojnë se duhet të trajtohet periudha e ngritjes dhe rënies së dinastisë Rajapaksas. Gotabaya Rajapaksa nuk është anëtari i vetëm i familjes që ka qenë president. Vëllai i tij, Mahinda Rajapaksa, i cili sikurse Gotabaya njihet gjerësisht si “hero lufte” në mesin e popullsisë, u zgjodh president më 2005 dhe arriti statusin pothuajse legjendar në vitin 2009 kur shpalli fitoren në luftën civile 26-vjeçare kundër rebelëve të Tigrave Çlirimtar të Tamil Eelam.

Kjo fitore i dha Mahinda Rajapaksa-s një burim pothuajse të pashtershëm kapitali politik. Ai gëzoi një kontroll 10-vjeçar mbi pushtetin gjatë të cilit ai u nderua nga shumica budiste sinhaleze e Shri Lankës. Ai njihej gjerësisht si “appachchi” – babai i kombit – dhe njerëzit shpesh përkuleshin kur kalonte pranë dhe frikësoheshin kur ai s’ishte mirë.

Në pjesën më të madhe të mandatit të tij, Mahinda Rajapaksa drejtoi Shri Lankën si një biznes familjar, duke emëruar vëllezërit e tij në poste kyçe; Gotabaya si Sekretar i Mbrojtjes, Basil si Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Chamal – kryeparlamentar.

Pavarësisht grindjeve për nepotizëm – vëllëzerit Rajapaksa ishin të njohur. Vendi përjetoi rritje ekonomike. Kjo erdhi si rrjedhojë e huamarrjes nga jashtë për të financuar shërbimet publike.

Pushim i shkurtër dhe rikthim

Lufta civile përveç që ndikoi për të krijuar legjendën e Mahinda Rajapaksa-s, solli edhe shenjat e para të rënies së tij. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të vitit 2011, trupat qeveritare ishin përgjegjëse për abuzime, granatime të qëllimshme të civilëve, ekzekutime, përdhunime dhe bllokimin e ushqimit dhe ilaçeve për të arritur në komunitetet e prekura. Raporti i OKB-së tha se “një numër burimesh të besueshme kanë vlerësuar se mund të ketë pasur deri në 40 mijë vdekje civile”. Qeveria e Mahinda Rajapaksa-s vazhdimisht ka mohuar akuzat e tilla. Megjithatë problemet filluan të rriten.

Shqetësimet për të drejtat e njeriut shkuan përtej luftës. Kundërshtarët politikë akuzuan Mahinda Rajapaksa-n për miratimin e heshtur të grupeve budiste të ekstremit të djathtë dhe pakicat myslimane dhe tamile të Shri Lankës kishin frikë nga një goditje më e gjerë ndaj komuniteteve të tyre.

Deri në vitin 2015, Shri Lanka i detyrohej Kinës 8 miliardë dollarë dhe zyrtarët e qeverisë së Shri Lankës parashikuan se borxhi i jashtëm i akumuluar – si borxh ndaj Kinës ashtu edhe vendeve të tjera – do të hante 94% të PBB-së së vendit. Atë vit, Mahinda Rajapaksa humbi një zgjedhje të ngushtë presidenciale ndaj ministrit të tij të shëndetësisë.

Në prill të vitit 2019, militantët islamikë vranë të paktën 290 njerëz në një varg sulmesh me bomba në kisha dhe hotele luksoze. Në nëntor të atij viti, Gotabaya Rajapaksa u zgjodh president i ri i vendit. Dhe si vëllai i tij, ai e shihte qeverisjen si një çështje familjare. Ai e emëroi Mahinda Rajapaksa-n menjëherë në post.

Humbja e përkrahjes

Megjithatë, siç i kishte ndodhur vëllait të tij, në presidencën e Gotabaya Rajapaksa filluan të shfaqen probleme, si dhe pyetjet mbi menaxhimin ekonomik të qeverisë së tij vazhduan të rriteshin. Ekspertët thonë se problemet ekonomike të Shri Lankës nuk erdhën tërësisht për fajin e Qeverisë, por situata u përkeqësua nga një sërë vendimesh të këqija.

Murtaza Jafferjee, kryetari i Institutit Advocata me qendër në Kolombo tha se huamarrja e jashtme e Shri Lankës solli edhe një seri goditjesh në ekonominë e vendit, që nga fatkeqësitë natyrore deri te musonët, e situata të tjera. Në përballje me deficit, Rajapaksa uli taksat në përpjekje për ta stimuluar ekonominë. Por masa rezultoi e pasuksesshme, duke goditur në vend të ardhurat e qeverisë. Agjencitë e vlerësimit më pas e ulën Shri Lankën në nivele afër standardit, që do të thotë se vendi humbi qasjen në tregjet jashtë shtetit. Më pas, Shri Lanka duhej të përdorte rezervat e saj valutore për të shlyer borxhin e qeverisë. Kjo ndikoi në importet e karburanteve dhe lëndëve të tjera thelbësore, të cilat çuan drejt rritjes së çmimeve.

Tani popullsia e Shri Lankës po përballet me kushte të vështira. Njerëzit duhet të presin me orë të tëra për karburant, shpesh duke u përplasur me policinë dhe ushtrinë. Raftet e supermarketeve janë të thata. Furnizimet me ilaçe po mbarojnë. Dhe ata fajësojnë Rajapaksët. Për muaj të tërë, Shri Lankasit e zemëruar kanë dalë në rrugë, duke akuzuar vëllezërit Gotabaya dhe Mahinda Rajapaksa për keqmenaxhim të ekonomisë.

Protestat filluan paqësisht, por u shndërruan në protesta të dhunshme në muajin maj, duke e detyruar Mahinda Rajapaksa të japë dorëheqje si kryeministër. As vendimi i tij s’ishte i mjaftueshëm për të shuar zhgënjimin e popullsisë – sepse vëllai i tij mbeti në pushtet si president. Për javë të tëra ai qëndroi në pushtet, por dikur nuk i bëri ballë presionit të popullsisë./UBTNews/

Exit mobile version