UBT News

Si të shmangni tragjeditë në ujë: Paralajmërim dhe këshilla të rëndësishme për pushuesit

Gjatë tërë vitit, e sidomos në muajt e nxehtë të verës, qëndrimi pranë ujit sjell kënaqësi e freski, por shpesh bart edhe rreziqe serioze, më i madhi prej tyre është rreziku nga mbytja.

Mbytja është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve nga lëndimet në të gjitha grupmoshat. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 236,000 njerëz humbin jetën çdo vit nga mbytja dhe pasojat e saj, ndërsa besohet se numri real është edhe më i lartë. 90% e rasteve të mbytjeve aksidentale ndodhin në vendet në zhvillim ose me zhvillim të mesëm. Faktorët kryesorë të rrezikut për mbytje janë mosha, gjinia dhe qasja në burimet ujore.

Mbytja është shkaku i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç e ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve aksidentale te fëmijët e moshave tjera. Fëmijët më të vegjël mbyten në rezervuarë të vegjël artificialë (vaska, pishina), ndërsa fëmijët më të rritur në ujëra të hapura si lumenj, liqene apo dete.

Meshkujt janë më të rrezikuar, me një shkallë vdekshmërie dy herë më të lartë se femrat. Ata kërkojnë trajtim spitalor për pasoja serioze nga mbytjet jo fatale.

Kjo lidhet me ekspozimin më të madh në ujë e sjelljet më të rrezikshme, si notimi jashtë zonave të mbikëqyrura, konsumimi i alkoolit para notit apo vozitjes me barkë. Në rrezik janë edhe ata që punojnë shpesh pranë ujit, si peshkatarët, dhe fëmijët që jetojnë afër burimeve të hapura të ujit – kanale, puse, rezervuarë.

Faktorë shtesë të rrezikut janë përmbytjet, mosha e re, mungesa e mbikëqyrjes, epilepsia, përdorimi i alkoolit, droga, mungesa e njohjes së rreziqeve lokale.

Si ta parandaloni mbytjen?

▪ Vendosni pengesa mbrojtëse për të kufizuar qasjen në ujë (p.sh., mbuloni puset, rrethoni pishinat).
▪ Mësoni fëmijët e vegjël bazat e notit dhe sigurisë në ujë.
▪ Zbatoni ligje dhe politika për sigurinë në ujë (rregulla për lundrim të sigurt, përdorimin e pajisjeve shpëtuese etj.).
▪ Planifikoni menaxhimin e përmbytjeve dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.
▪Zhvilloni strategji kombëtare të sigurisë në ujë për të rritur ndërgjegjësimin.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh?

▪ Mos pini alkool ose substanca që ndryshojnë vetëdijen. Pengojnë gjykimin, koordinimin e rrisin rrezikun e mbytjes.
▪ Mos hyni në ujë menjëherë pas ushqimit. Prisni të paktën 2 orë.
▪ Nëse nuk dini mirë të notoni, mos hyni vetëm dhe përdorni pajisje shpëtuese.

Ndërsa jeni në ujë:

▪ Hyni ngadalë, kontrolloni thellësinë.
▪ Mos kërceni në ujë me thellësi të panjohur.
▪ Mos e teproni me vetëbesimin, notoni me dikë dhe brenda zonave të shënuara.
▪ Mos u largoni nga bregu, notoni paralelisht me të.
▪ Pushoni nëse lodheni, dilni ose qëndroni në zonë të cekët.
▪ Nëse keni vështirësi, qetësohuni, shtrihuni mbi shpinë, ngrini dorën e sinjalizoni ndihmë.

Kujdes i veçantë për ujërat e hapura

Zhytja në liqene, lumenj a det është ndryshe nga notimi në pishinë: njihuni me rrymat, temperaturën e ujit, gjallesat ujore e rreziqet lokale. Nëse ju zë një rrymë, mos u përpiqni të notoni kundër saj! Qëndroni të qetë e notoni anash, diagonalisht drejt bregut.

Rregulla për zhytjen

▪ Zhytuni gjithmonë me dikë tjetë.
▪ Mos e mbani frymën shumë gjatë.
▪ Mos hiperventiloni para zhytjes.

Siguria në barka dhe mjete ujore:

▪ Jeleku shpëtues është i detyrueshëm, duhet të jetë i madhësisë së duhur dhe i vendosur mirë.

▪Alkooli është shkaktar i shumicës së aksidenteve në ujë – mos konsumoni!

Mësoni bazat e notit dhe shpëtimit:

▪ Ushtrohuni të mbani veten mbi ujë, të ktheheni nga shpinë në bark dhe të notoni të paktën 25 metra.
▪ Shikoni rreth vetes dhe ruani vigjilencën, sidomos kur keni fëmijë në ujë.
▪ Mësoni të dalloni dikë që po mbytet, është  proces i qetë, pa britma e pa spërkatje.

Të parandalosh një tragjedi është më e lehtë se të shpëtosh një jetë! Kujdesuni për veten, fëmijët dhe miqtë, që verës t’ia gëzoheni në mënyrë të sigurt!

Exit mobile version