Ndërsa policia në Rusi shtyp protestat kundër luftës që po shfaqen në të gjithë vendin, shumë qytetarë nuk e dinë plotësisht se çfarë po ndodh në Ukrainë.
Televizioni i kontrolluar nga shteti nuk tregon pothuajse asnjë raport për bombardimet dhe granatimet ruse në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës. Në vend të kësaj, ai fokusohet tek të ashtuquajturit “nacionalistë” dhe “neo-fashistë” ukrainas.
Por të rinjtë rusë si Arina 25-vjeçare, e cila jeton në Moskë, nuk po shikojnë TV. Ajo është në internet, lexon blogje dhe dëgjon vlogger-ët. Edhe ajo e ka të vështirë të kuptojë pse po ndodh kjo luftë dhe çfarë do të thotë kjo për jetën e saj si një e re ruse.
“Është shumë e vështirë të parashikosh ndonjë gjë, sigurisht, situata është e tmerrshme”, tha Arina, e cila i kërkoi CNN të përdorte vetëm emrin e saj të parë për sigurinë e saj. Mes miqve të mi ka shumë ankth për të ardhmen, shumë frikë, sepse nuk e dimë si do të ndikojë tek ne.
Por nëna e Arinës e sheh atë krejtësisht ndryshe, duke besuar se lufta është një “masë e nevojshme” kundër kërcënimit perëndimor, tha Arina.
Arina dhe nëna e saj “patën një debat shumë të ashpër”, tha ajo. “Ne kemi burime shumë të ndryshme informacioni: unë mësoj gjithçka nga mediat e pavarura, të cilat kryesisht janë bllokuar prej kohësh në Rusi, dhe ajo shikon TV”.
Reagime të ndryshme
Ndërsa Arina dhe miqtë e saj ndjekin lajmet për Ukrainën në mediat sociale, rusët kanë pasur reagime kontradiktore, tha ajo.
“E para është, të gjithë thonë: “Po, duhet të kemi turp”. E dyta është: “Jo, të mos turpërohemi nga vetja dhe të mos i lidhim vetes vendime që nuk janë marrë nga ne”.
Por të dyja palët bien dakord për një gjë, thotë Arina: Ata duan që komuniteti ndërkombëtar të dijë “se njerëzit nuk janë presidenti i tyre dhe ne nuk e zgjodhëm këtë”./UBTNews/